Albtelekom dyfishon tarifën e pajtimit mujor për telefoninë fikse, miratohet nga AKEP
Albtelekom dyfishon tarifën e pajtimit mujor për telefoninë fikse. Kështu, pajtimi mujor do të kushtojë 6 mijë lekë të vjetra në muaj, nga 3500 që ishte. Tarifa e re hyn në fuqi në fillim të muajit gusht, ndërkohë që është parashikuar një tjetër rritje për
këtë shërbim deri në fund të vitit ajo pritet të arrijë në 1 mijë lekë. Gjithashtu tarifa e thirrjeve lokale do të rriten nga 25 lekë që ishte deri tani, shkon në 30 lekë për minutë. Për një pensionist që mban numër fiks qoftë edhe vetëm në pritje është i detyruar të paguajë 10 për qind të pensionit shërbim për numrin. Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare jo vetëm cilëson si të drejtë vendimin e Albtelekom për dyfishimin e tarifës, pro argumenton se rritja vjen për ndryshimit të metodologjisë, e cila tregon se kostot janë të larta. AKEP është kthyer në bashkëpunëtor të kompanisë monopol në vend për shërbimin e telefonisë fikse. Me aplikimin e tarifave dhe shërbimin jashtë çdo standardi Albtelekom grabit qytetarët dhe për të arritur objektivat i vjen në ndihmë edhe qeveria përmes AKEP që firmos kërkesat e kompanisë. Ndërkohë që Albtelekom është vetëdeklaruar me fitim edhe me tarifën ekzistuese. Deri tani nuk ka kryer asnjë investim shtesë për përmirësimin e shërbimit ndaj klientëve të tij, të cilët çdo ditë mund të gjesh pranë zyrave të kompanisë me ankesa për shërbimin, defektet, faturat mungesën e sinjalit.
Çmimi i ri
Rriten përsëri tarifat e telefonisë fikse. Nga 358 lekë që është aktualisht, në muajin gusht pajtimi mujor pritet të arrijë në 600 lekë, ndërsa vitin e ardhshëm kjo tarifë mund të arrijë në 1 mijë lekë. Drejtori i Rregullimit të Tregut në Agjencinë e Komunikimeve Elektronike dhe Postare, thotë se nga metodologjia e re për matjen e kostove të Albtelekom ka rezultuar që kosto e këtij shërbimi është më e lartë se vlerësimet e kryera me metodologjitë e mëparshme. Përfaqësuesi i AKEP për rregullimin e tregut shpjegon se ribalancimi i tarifave të telefonisë është një proces i domosdoshëm, që shkon në të mirë të operatorëve, të konkurrencës, por edhe të konsumatorëve. Sipas tij Përveç pajtimit mujor, rritje pritet të pësojnë edhe tarifat e thirrjeve lokale, që do të rriten në 3 lekë, nga 2.5 lekë që është aktualisht, ndërkohë që pritet të ulen tarifat e thirrjeve ndërkombëtare të Albtelekom.
Abuzimet me internetin
Kufizimi i prodhimit, tregjeve ose zhvillimit teknik dhe zbatimi i kushteve të pabarabarta për veprime tregtare të njëjta me palët, duke i vendosur ato në gjendje të pafavorshme konkurrence janë pikat kryesore ku niset Autoriteti i Konkurrencës për të kryer inspektime në lidhje me shkeljen e konkurrueshmërisë. Kompania monopol e shpërndarjes së internetit me shumicë në vend, Albtelekom. Një tjetër pikë e shkelur nga kompania është edhe lidhja e kontratave, me kusht që palët e tjera kontraktuese të pranojnë detyrime shtesë, pasi është e vetmja kompani në treg që shpërndan internet për ISP-të e tjera të operojnë në tregun shqiptar. Abonentët e kompanisë Albtelekom, vijojnë të jenë abonentë të kësaj kompanie vetëm për hir të kostos së instalimit. Ato pohojnë se nuk po shkëpusin internetin pasi kanë shpenzuar për ta pasur atë. Edhe pse përplasen me neglizhencën e inxhinierëve e teknikëve për të riparuar problemet në rrjet. Ato pohojnë se nga një muaj që paguajnë në 10 ditë të tij nuk kanë fare sinjal. Madje qytetarët pretendojnë se interneti është shumë i dobët dhe asnjëherë në sasinë e paguar dhe të parashikuar në kontratë.
Abuzimet, ndryshon ligji
Shkelja e rregullave të tregut duke përcaktuar çmime monopol për shërbimin e telefonisë së lëvizshme ka detyruar Ministrinë e Inovacionit dhe Teknologjinë e Informacionit dhe Komunikimit të ndërhyjë në ligj. Reforma do të fillojë nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, i cili është rregullatori i këtij tregu. Drafti, i cili pritet të mbërrijë së shpejti për miratim në Këshillin e Ministrave parashikon rritjen e masës së gjobës për kompanitë që shkelin rregullat e tregut. Sipas një drafti të hartuar nga Ministria e Inovacionit është parashikuar ndarja e pushteteve në AKEP në ndryshim me situatën aktuale ku pushteti është përqendruar te një post. Aktualisht Kryetari i Bordit Drejtues është njëkohësisht edhe Drejtor Ekzekutiv. Ndryshimet në ligj kanë marrë shkas nga çmimet monopolistike të caktuara nga operatorët e telefonisë celulare në vend dhe nga arbitrariteti i tyre për të mos lejuar operatorin e katërt të dalë në treg.
Albtelekom dhe tre kompanitë celulare bllokojnë operatorin e katërt
Tre operatorët e telefonisë celulare dhe Albtelekom nuk nënshkruajnë marrëveshjen e interkoneksionit me operatorin e katërt të telefonisë celulare në vend, duke penguar daljen e këtij të fundit në treg në datën e parashikuar. Ndërkohë që po skadon afati ligjor për nisjen e ofrimit të shërbimit, që është data 8 korrik, bëhet e ditur se në rrugë ka dalë një tjetër pengesë. Sipas një korrespondence mes operatorit të katërt që pritet të dalë në treg dhe tre kompanive ekzistuese mësohet se janë hasur një sërë problemesh që ndalojnë Mobile 4 AL, të hidhet në treg. Operatori Plus ka dështuar të arrijë një marrëveshje interkoneksioni me operatorët e tjerë celularë dhe me Albtelecom. Çështja ka shkuar për zgjidhje në Autoritetin e Komunikimeve Elektronike dhe Postare, por deri tani nuk ka asnjë zhbllokim të situatës. Mobile 4 AL më datë 14 qershor i është drejtuar AKEP me kërkesën për zgjidhjen e mosmarrëveshjes së interkoneksionit me operatorët Albtelecom, AMC, Eagle Mobile dhe Vodafon Albania.
Abuzimet, 400 ankesa në 3 muaj për Albtelekom
Problemet me telefoninë fikse të cilat kanë mbërritur në zyrën e ankesave pranë Shoqatës së Konsumatorit, duket se kanë kaluar çdo limit kohët e fundit. Sipas burimeve nga kjo shoqatë ankesat e qytetarëve që prej fillimit të 2010-ës e deri ditët e fundit kanë arritur në 400 ankesa nga qytetarë të ndryshëm nga të gjitha zonat e kryeqytetit. Sipas SHKSH-së gjatë këtij viti ky institucion ka regjistruar me qindra ankesa të konsumatorëve për telefoninë fikse të cilat kanë të bëjnë me mungesën e faturës në familje, mungesa e informimit, rritje e çmimit të tarifës për linjën e shërbimit e në shumë raste qytetarët ankohen se paguajnë shërbimin telefonik por pa marrë shërbimin e kërkuar, paguajnë për impulse të pakonsumuara, për më tepër edhe kur telefoni është pa sinjal, për arsye dhe defekte të vetë Albtelekomit. Por edhe pse këto ankesa ditë pas dite sa vijnë e shtohen Albtelekom si institucioni përgjegjës për shërbimet e telefonisë fikse është treguar tepër indiferent për shqetësimet e konsumatorëve në kryeqytet.
Rritjet e njëpasnjëshme të tarifave
Albtelekom ka rritur brenda një viti e gjysmë me shpejtësi marramendëse tarifat e telefonisë fikse, veprim i cili ka shkaktuar jo pak reagime nga vetë qytetarët. Tarifat për familjarët janë rritur nga një vit në tjetrin e në rastet më banale edhe dy herë brenda të njëjtit vit. Tarifa për abonentët familjarë e telefonisë fikse nga muaji shtator 2008 deri 10 muaj më pas në Qershor të 2009-tës, ka pasur një tarifë mujore e cila është llogaritur në shumën 288 lekë të reja. Ndërsa nga Korriku i vitit 2009 deri në Shtator të po këtij viti nga shifra e cituar më sipër tarifat e telefonisë fikse, kanë pësuar një rritje të konsiderueshme e cila në shifra llogaritet se është rritur me 63 lekë të reja. Ndërsa për vitin 2009 të gjithë abonentët familjarë i janë nënshtruar rritjes së tarifave për shërbimin e telefonave fiks për të gjithë abonentët e Albtelekom janë rritur nga 351.6 lekë, në muajin Korrik e kanë në muajin Tetor të vitit 2010 në shumën e 429.6 lekë pra për një periudhë tepër të shkurtër kohore e cila është e llogaritur në katër muaj në total, tarifat janë rritur në mënyrë banale nga Albtelekom me 780 lekë.
Ornlea Manjani