“Albtelekom”, ofertë të re “Flisni 60 minuta, paguani 1 minutë”
“Albtelekom” prezantohet pranë klientëve me një tjetër ofertë në shërbimin e telefonisë fikse. Kompania prezanton ofertën më të re për abonentët familjarë në të gjithë Shqipërinë. Duke nisur nga data 15 janar, për tre muaj me radhë, deri më datë 15 prill, të gjithë abonentët familjarë do të kenë mundësi të abonohen në paketën e re, “Flisni 60 minuta, paguani 1 minutë”. Nga data 15 janar deri më 15 prill të gjithë abonentët e “Albtelekom” do të mund të përfitojnë nga paketa “Flisni 60 minuta, paguani 1 minutë”, vetëm duke u paraqitur pranë sporteleve të kompanisë sonë në të gjithë Shqipërinë. Përmes kësaj ofertë, çdo abonent familjar i “Albtelekom” do të përfitojë deri në një orë falas, duke paguar vetëm minutën e parë të thirrjes. Të gjithë abonentët që zgjedhin të jenë pjesë e paketës më të re do të mund të flasë deri në 60 minuta, kundrejt pagesës prej vetëm 15 lekësh të reja. Oferta është e vlefshme për të gjitha thirrjet drejt numrave “Albtelekom” në të gjithë Shqipërinë. “Albtelekom” vazhdon të mbajë premtimet për abonentët e saj në të gjithë Shqipërinë, për rritjen e cilësisë së shërbimit me çmime të leverdishme. Vetëm pak kohë më parë, “Albtelekom” ka aplikuar tarifa të ulëta për të gjithë abonentët e saj, ndërkohë që do të vazhdojë të përmirësojë cilësinë e shërbimeve.
Në konferencën e fundit për mediat, drejtori i Përgjithshëm i “Albtelekom”, Mustafa Resit Akdogan, është shprehur se gjatë vitit 2009, kompania do të prezantojë oferta të reja dhe për telefoninë fikse. Akdogan është shprehur se të gjithë klientëve të “Albtelekom” do t’u ofrohen oferta me çmime të leverdishme dhe paketa të ndryshme. Gjithashtu, kompania ka prezantuar oferta me çmime shumë të leverdishme dhe për shërbimin e internetit me ADSL.
IFAD, 9.2 milionë dollarë për projektin “Malet drejt tregut”
Ministri i Financave, Ridvan Bode, si dhe përfaqësuesi i Fondit Ndërkombëtar për Zhvillimin e Bujqësisë, IFAD, Henning V. Pedersen, nënshkruan dje marrëveshjen e kredisë prej 9.2 milionë dollarësh për financimin e projektit "Malet drejt tregut". Ministri i Financave, Bode, theksoi se objektivi i këtij programi është zbutja e varfërisë dhe zhvillimi i qëndrueshëm i zonave rurale malore. "Programi ka për qëllim përmirësimin e kushteve, zgjerimin dhe rritjen e aksesit drejt tregut të të gjitha zonave të pafavorizuara, zonave malore të vendit", - deklaroi Bode. Kreu i financave publike u shpreh në të njëjtën kohë se ky program është duke u zhvilluar prej vitesh nga qeveria për të luftuar në mënyrë të qëndrueshme varfërinë për zonat malore dhe të izoluara, si dhe për të krijuar mundësinë e një zhvillimit të qëndrueshëm në këto terrene. Sipas tij, drejtimet kryesore të këtij programi synojnë përmirësimet thelbësore infrastrukturore të zonave të izoluara, përmes asfaltimit dhe rritjes së përshkueshmërisë së tyre me infrastrukturë rrugore si dhe asistimin, ndihmën dhe nxitjen me sistemin e kreditimit, me një koncept tërësisht drejt tregut. Programi do të zbatohet në katër qarqe malore veriore Shkodër, Kukës, Dibër dhe Lezhë, të cilët kanë nivelin më të lartë të varfërisë në vend. Kostoja e parashikuar e programit është 17.946 milionë USD, e cila do të jetë një bashkëfinancim i IFAD, me një kredi prej rreth 9.2 milionë USD dhe një grant prej rreth 400 mijë USD, dhe qeverisë shqiptare me një financim prej 2.489 milionë USD dhe përfituesve me një financim prej 5.856 milionë USD.