Forca e angazhimit e të rinjve
Një nga temat të cilat ishin të diskutueshme në opinionin publik, që nga fillimi i periudhës së tranzicionit politik, ishte dhe mbetet roli dhe rëndësia e aktivizimit të të rinjve në politikë dhe në shtet-ndërtim. Kur flitet për rolin aktiv të të rinjve, është i pashmangshëm debati mbi vizionin që paraqet pikërisht ky rol. Të rinjtë, pa dyshim, në periudhat më të vështira ishin forca krijuese për përparimin e vizionit kombëtar. Në hapësirat shqiptare, janë të rinjtë ata që bartën shumë procese politike, të cilat krijuan realitete të reja. Pra, këtu qëndron rëndësia e pjesëmarrjes aktive e të rinjve në politikë.
Shqipëria tashmë ka hyrë në rrugën e saj të zhvillimit të shpejtë. Promovimi i tolerancës politike është një parakusht që ofron lehtësime në proceset e rëndësishme të integrimit, në të cilat kanë hyrë Shqipëria dhe shqiptarët në tërësi. Edhe Forumi për Demokraci dhe Etikë është njëri ndër institucionet që po e përkrah dhe ndihmon promovimin e tolerancës politike, përmes aktiviteteve të ndryshme, pjesë e të cilave kam pasur kënaqësinë të jem edhe unë personalisht. Është inkurajues fakti që djem dhe vajza të reja, të mbledhur së bashku, nga pjesë që përbëjnë tërësinë e asaj që quhet shoqëri shqiptare, janë të vendosur të krijojnë një vizion më të avancuar në kërkim të rikthimit apo krijimit të vlerave për të cilat çdo shoqëri ka nevojë.
Forca e vërtetë e vizionit të Forumit për Demokraci dhe Etikë është gjetja e vlerave të përbashkëta nga të rinjtë aktivë në politikë dhe që ndiejnë përgjegjësinë e të qenit përfaqësues të shoqërisë. Zhvillimi i dialogut dhe bashkëpunimit politik është vlerë e pakontestueshme, shpeshherë jo lehtë e arritshme. Disa nga zhvillimet politike në Shqipëri, që nga fillimi i tranzicionit, fatkeqësisht jo gjithmonë kanë arritur të kultivojnë një frymë dialogu dhe bashkëpunimi politik.
Të gjitha definicionet mbi demokracinë të çojnë tek vetë qytetari. Me gjithë zhvillimet pozitive të shumta që kanë ndodhur deri më tani, unë do t’i konsideroja si fisnike të gjitha ato ide që promovojnë politika publike, të cilat në qendër të tyre e kanë mirëqenien e gjithëmbarshme për qytetarin. Zbatimi i politikave që nënkuptojnë zhvillimin e shoqërisë dhe përmirësimin e jetë së qytetarit, jo vetëm që e përmirësojnë demokracinë, mirëpo edhe ndikojnë që Shqipëria dhe shqiptarët të arrijnë nivel të krahasueshëm me vendet më të zhvilluara dhe me demokraci të konsoliduar.
Shqipëria, tashmë ka bërë një arritje historike, duke hyrë në NATO dhe duke u bërë e barabartë me vendet e demokracisë perëndimore. Gjithashtu, nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit është një hap më tutje në drejtim të anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian. Mirëpo, para nesh janë një mori sfidash që duhet ballafaquar, dhe pikërisht këtu qëndron rëndësia e pjesëmarrjes së të rinjve në politikë.
Funksionimi i Forumit për Demokraci dhe Etikë është një mjedis i mirë që njerëz të rinj të ofrojnë vizione të reja, njerëz me përkatësi të ndryshme politike të kërkojnë vlera të përbashkëta morale dhe politike, njerëz të rinj që gjenerojnë ide se si politika mund të funksionojë mbi vlera dhe parime.
Janë një numër çështjesh, në të cilat të rinj të shumtë, me sukseset e tyre të demonstruara në shumë fusha të shoqërisë, të kenë mundësi të ofrojnë më të mirën në ndërtim dhe zhvillim të Shqipërisë. Në fund të fundit, forca më e madhe e vizionit të FDE-së janë vetë të rinjtë që krijuan atë vizion.
*Ish-Kryeministër i Kosovës