“Albtelekom” rrit 8 herë kapacitetin e fibrës optike me Italinë
Kompania “Albtelekom” rrit me 8 herë kapacitetin e fibrës optike me Italinë. Nga 2500 mega-bit që është kapaciteti aktual i kësaj linje, me vendosjen e kësaj fibre optike kapaciteti pritet të shkojë në 20.000 mega-bit. I pyetur nga gazetarët lidhur me një iniciativë private (lidhur me shtrimin e një kablli për shtimin e internetit), Drejtori i Përgjithshëm i “Albtelekom” Sevket Acar deklaroi: “’Albtelekom’-i zotëron tashmë një linjë fibër optike që lidh Italinë me Shqipërinë e cila zotërohet në bashkëpronësi nga kompania jonë dhe ‘Telecom-Italia’ e cila është nja nga kompanitë lider në fushën e telekomunikacionit në botë. Kapaciteti aktual i kësaj linje është 2500 mega-bit. Me anë të kësaj linje, ne ofrojmë shërbimet voice dhe internetit jo vetëm për Shqipërinë, por mundësojmë edhe lidhjen e Kosovës me Italinë. Në një kohë kur ky kapacitet ende nuk është përdorur 100 për qind, ne po punojmë me ‘Telecom Italia’-n për të rritur më tej kapacitetet pasi parashikojmë kërkesë të madhe për përdorimin e internetit në Shqipëri. Ne mendojmë të hapim Shqipërinë drejt botës nëpërmjet internetit dhe e kemi shpallur vitin 2011 si vit të internetit për vendin tonë. Në një kohë shumë të shkurtër, kapaciteti i linjës me Italinë do të rritet në 20.000 mega-bit dhe kjo do të thotë një rritje prej 800 për qind ose 8 herë më shumë. Me investimet e kryera nga ‘Albtelekom’-i, Shqipëria është pikë transiti për Ballkanin dhe Evropën juglindore në fushën e telekomunikacionit. Kjo do ta rrisë edhe më tej rëndësinë e Shqipërisë dhe ne kemi kryer të gjitha përgatitjet në këtë drejtim. Mund t’iu them së jemi plotësisht gati t’u japim përgjigje rritjes së kërkesës nga konsumatorët vendas dhe rajonalë. Me rrjetin e fibrës optike që ne kemi aktualisht me të gjitha vendet fqinje, mund të sigurojmë lidhje mes Tiranës dhe çdo vendi tjetër në Evropë dhe botë. Për më tepër, së shpejti ‘Albtelekom’ finalizon projektin për ndërtimin e centralit të parë të internetit (Internet Exchange) në Ballkan dhe më pas interneti dhe e-maili, do të jenë shumë më të shpejtë për trafikun kombëtar të përdoruesve. Mbi të gjitha, ne po punojmë për të ndërtuar një Qendër të Dhënash (Data Center) në Tiranë dhe në këtë mënyrë, do të sigurojmë shërbim për bizneset në Shqipëri dhe vendet e rajonit. ‘Albtelekom’ prej vitesh ka ofruar këto shërbime në kualitet të lartë për konsumatorin shqiptar dhe po përmirëson në vazhdimësi cilësinë duke rritur kapacitetin më shumë se 8 herë”.
16 Korrik 2010