Durrës, tatimorët në aksion për bllokimin e subjekteve të palicencuara
Drejtoria Rajonale Tatimore e Durrësit ka ndërmarrë dje një aksion për bllokimin e të gjitha subjekteve të palicencuara që operojnë në zonën e plazhit të Durrësit. Subjektet në fjalë janë kryesisht sezonale që operojnë në fusha të ndryshme vetëm për një periudhë 3-4 mujore. Inspektorët e sektorit të verifikimit në terren kanë bërë të ditur se çdo ditë identifikohen 10-15 subjekte të palicencuara të cilat menjëherë bllokohen deri në aplikimin e tyre në QKR-ë për marrjen e licencës. Përgjegjësi i këtij sektori, Veip Ademi, është shprehur se, deri tani kanë marrë urdhër bllokimi 390 subjekte në gjithë zonën e plazhit, ndërsa aksioni do të jetë i vazhdueshëm. Për subjektet që nuk licencohen menjëherë, Drejtoria Rajonale Tatimore aplikon sanksione të tjera që fillojnë me gjoba 25 mijë lekëshe, ndërsa pas 15 ditësh subjekti mbyllet dhe malli konfiskohet. Kontrollet e tatimorëve janë përqendruar edhe tek kasa fiskale dhe evazioni fiskal.
Forumin Ekonomik i Milanos, investitorët e huaj ftohen të investojnë në Shqipëri
Ministri i Transporteve ka ftuar biznesin italian të zgjerojë investimet në Shqipërisë, nisur nga situata ekonomike ku ndodhet vendi. Burime zyrtare nga ministria njoftuan dje, se ritmet e larta të zhvillimit të Shqipërisë u vlerësuan me nota të larta në Forumin Ekonomik dhe Financiar të Mesdheut, të mbajtur në Milano të Italisë. Forumi, ku u shqyrtuan zhvillimet ekonomike të vendeve të Mesdheut, u hap nga Kryeministri i Italisë, Silvio Berluskoni. Të pranishëm në këtë forum ishin edhe ministrat e Transportit dhe Ekonomisë të rajonit, si dhe investitorë të shumtë. “Shqipëria u vlerësua si një vend i përshtatshëm për investime në saj të parametrave të qëndrueshëm makroekonomik, reformave për lehtësimin e kushteve të biznesit dhe luftës kundër korrupsionit”,- deklaroi MPPT.
16 Korrik 2010