Zëdhënësja Arapaj: “Ministria e Mbrojtjes nuk shet pronat e ushtarakëve”
Menjëherë pas akuzave të selisë rozë ka reaguar Ministria e Mbrojtjes, duke u shprehur se ajo nuk mund të shesë pronat e ushtarakëve. Zëdhënësja Brikena Arapaj sqaroi se Ministria e Mbrojtjes i ka përcjellë Ministrisë së Ekonomisë, prona të cilat prej kohësh nuk përdoren nga Forcat e Armatosura, dhe që përveçse nuk janë efektive, rëndojnë në shpenzimet e këtyre forcave. “Këto prona, të cilat janë administruar nga Ministria e Mbrojtjes për një ushtri prej 110 mijë njerëzish, madje që së bashku me rezervistët shkonte deri në 300-400 mijë njerëz dhe kur sot kemi me pak se 10% të tyre, ne këto prona po ia rikthejmë tregut. Në këtë kontekst, ne ftojmë qytetarët shqiptarë të bëhen pjesë e këtij procesi, i cili është tërësisht transparent”, - u shpreh Arapaj. Përsa i përket reagimit të ministrit Imami për Planin Urbanistik të Tiranës, Arapaj u shpreh se Imami, duke folur si deputet i Qarkut të Tiranës, ftoi kryetarin e Bashkisë së Tiranës, që të përgjigjet për këtë plan urbanistik të qytetit. “Në reagimin e Ministrit të Mbrojtjes nuk ka asnjë panik, jo vetëm se procesi nuk ka filluar ende, por edhe sepse ky proces është krejtësisht i hapur e transparent. Deklaratat e deputetëve anonimë, përveçse tregojnë injorancë, dhe në këtë rast injoranca nuk është argument, përmbajnë ligësi të pashpjegueshme. Shpjegimi i vetëm është se këto sulme, vijnë nga ish-nënkryetari i kryetarit të Bashkisë së Tiranës, institucionit më të korruptuar në këtë hapësirë gjeografike në 500 vitet e fundit, përfshi edhe sundimin osman”, - u shpreh Arapaj.
Gjoni: “Qeveria po kërkon të uzurpojë Shërbimin Informativ të Shtetit”
Deputeti i Partisë Socialiste, Ilir Gjoni deklaroi dje se ndaj Shërbimit Informativ të Shtetit po bëhet një luftë jo e ndershme në tentativë për ta uzurpuar. "Nuk është vetëm largimi i ndërkombëtarëve, për mendimin tim situata është shumë e rëndë. Jam e bindur se reagimi i opinionit publik, i opozitës dhe i partnerëve ndërkombëtar do të jetë shumë i ashpër, shumë i rëndë. Ne e gjykojmë që kjo ishte një rrugë e tërthortë që maxhoranca të ushtronte kontroll ndaj këtij ligji ", - u shpreh Gjoni. Në të njëjtën linjë kontrolli i sheh deputeti socialist edhe shkurtimet në buxhetin e SHISH-it, të cilat ia bëjnë sipas tij të pamundur funksionimin. Janë dy projektligjet në Kuvend që lidhen me Shërbimin Informativ Shtetëror, njëri që ka të bëjë me marrëdhëniet e tij me Kuvendin dhe tjetri që kundërshtohet nga opozita, me organizimin e tij.
16 Korrik 2010