Akuzat ndaj Edi Ramës, PS-ja do të ngrejë padi ndaj ministrit Dritan Prifti
Eneida Jaçaj - Ministri i Ekonomisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti dje në seancën plenare ka lëshuar akuza të rënda ndaj kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama për fshehjen e pasurisë së tij. Nga foltorja e Parlamentit Prifti ka akuzuar Ramën se vlera prej 3 mijë euro që ka deklaruar se ka në bankë, është vetëm vlera e substancës që ai thith çdo ditë me hundë. Por ministrit Prifti do t’i duhet t’i provojë akuzat e nxjerra për kreun e PS-së. Menjëherë ka reaguar zëdhënësja e selisë rozë, Armela Imeraj duke deklaruar se Partia Socialiste do të bëjë gati padinë ndaj shpifjeve të ministrit Prifti.
Akuza
“A ka shqiptar që ta besojë se Edi Rama nuk ka shtëpi dhe jeton me nënën e vet. Kjo është qesharake. Dallimi mes meje e tij është se, unë e familja ime i kemi vënë pasuritë me ndershmëri. Ai njeri thotë se është i pastrehë. Ai njeri, të nderuar kolegë deputetë, thotë se ka vetëm 3 mijë euro pasuri në bankë. Unë po ju them se 3 mijë euro kushton vetëm substanca që ai thith me hundë çdo ditë. Vlera e një dite e substancës që Edi Rama thith çdo ditë me hundën e vet bën më shumë se tre mijë euro”, - deklaroi Prifti. Ministri Prifti ftoi Inspektoriatin e Deklarimit të Pasurisë të hetojnë deklarimet e pasurive të tij dhe të Edi Ramës. “Ftoj Inspekoriatin e Deklarimit të Pasurive dhe çdo institucion hetimi në këtë vend të hetojë çdo qindarkë të pasurisë time, duke filluar që sot. Të hetojë dhe çdo qindarkë të pasurisë së Edi Ramës. Që nga vila që ka në Durrës me emrat e biznesmenëve të vet dhe deri te vilat luksoze e qindra apartamente në Tiranë", - u shpreh Prifti.
Padia
Partia Socialiste akuzave të ministrit Prifti ka zgjedhur t’i përgjigjet me padi. “Janë mbi 30 paditë e kryetarit Edi Rama në prokurori e gjykatë për akuzat për akuzat e bëra ndaj tij prej Berishës me shokë. Sot (dje) ka nisur të shkruhet padia për Dritan Priftin, i cili është i ftuar t’i provojë të gjitha ato që tha duke shpifur e sharë në përpjekjen për t’i shpëtuar pyetjes së opozitës”, - deklaroi zëdhënësja Imeraj. PS-ja u hodh sërish në sulm duke kërkuar burimin e vërtetë të 1.8 milionë eurove të Priftit. “Zoti Prifti si i fitove 1.8 milionë euro brenda vitit që je Ministër Ekonomie? Kjo pyetje kërkon përgjigje dhe Dritan Prifti nuk i ikën dot të vërtetës duke gjuajtur me baltë opozitën. Shqiptarët që e vuajnë përditë krizën e rëndë ekonomike, duhet të mësojnë të vërtetën e pasurimit marramendës të Ministrit të Ekonomisë në krizë”, - u shpreh Imeraj.
16 Korrik 2010