Shalsi: “Ministri Imami bën korrupsion me shitjen e pronave të ushtarakëve”
Partia Socialiste ka akuzuar ministrin e Mbrojtjes, Arben Imami se është bërë pjesë e një afere të madhe korruptive, duke nxjerrë në shitje qindra prona të ushtarakëve. Akuza ka ardhur nga nënkryetari i Grupit Parlamentar socialist, njëkohësisht edhe deputet, Eduard Shalsi pas ndërhyrjes së ministrit Imami për Planin Urbanistik të Tiranës. Janë afërsisht 480 objekte të ushtarakëve që Ministria e Mbrojtjes i ka nxjerrë në shitje për arsye se nuk janë më në përdorim, por çmimi i tyre nuk përcaktohet nga kjo ministri, por nga Agjencia e Kthimit dhe e Kompensimit të Pronave. “Ministri i Mbrojtjes është bërë pjesë e një prej aferave më të mëdha korruptive duke nxjerr në shitje qindra objekte e mijëra katrore sipërfaqe toke, asete shtetërore, të cilat sigurisht do i përfitojnë me një çmim simbolik Argita dhe Shkëlzeni dhe ndonjë i afërm tjetër i familjes. Duke mos ditur si të mbrohet nga ky megakorrupsion, Arben Imami në mënyrë të pakuptimtë hidhet në sulm, duke mos kuptuar se drejtësia mund të vonoj, por s’ka për të harruar”, - deklaroi Shalsi. Duke marrë shkas nga ndërhyrja e ministrit të Mbrojtjes në punët e Bashkisë së Tiranës, Shalsi u shpreh se qeveria nga paniku sillet në mënyrë të dëshpëruar. “Prej disa ditësh duket qartë se qeverinë e Sali Berishës e ka zënë paniku. Si gjithmonë, në të tilla raste, njerëz në panik, bëjnë gjëra të dëshpëruara. Për shqiptarët është e pakuptueshme se ç’punë ka Ministri i Mbrojtjes që merret me Planin Rregullues të Tiranës. Cila është lidhja mes ushtrisë dhe urbanistikës në kryeqytet?”, - tha Shalsi. Duket se ministrat e qeverisë ‘Berisha’ po ngatërrojnë kompetencat e tyre me pushtetet e tjera. Deputeti Shalsi reagoi edhe pas ndërhyrjes së ministres së Integrimit, Majlinda Bregu për mos rikonstrukturimin e shkollave nga Bashkia e Tiranës. “Po Ministria e Integrimit çlidhje ka me shkollat e kryeqytetit? A thua se zonja Bregu e ka vënë në vijë integrimin europian dhe liberalizimin e vizave dhe tani në kohën e lirë inspekton lagjet e Tiranës?!”, - u shpreh Shalsi, duke nënvizuar se “Bashkia e Tiranës ka rikonstruktuar 35 dhe ndërtuar 7 shkolla në kryeqytet dhe është duke zëvendësuar sistemet tradicionale të ngrohjes me panele diellore duke u renditur ndër kryeqytetet e para në Europë. Majlinda Bregu e di shumë mirë se qeveria e saj mbetet sot e kësaj dite, pengesa e vetme për ndërtimin e kësaj shkollë në njësinë Nr: 9, pikërisht në këtë komunitet që prej kohësh kërkon një shkollë. Ndërkohë që Bashkia e Tiranës ka gati investimin dhe projektin, qeveria e Majlindës nuk e lejon shkollën”.
16 Korrik 2010