E Diel, 1 Nëntor 2026

Albtelekom vjedh qytetarët me anë të faturave për shërbimin telefonik

Faturat për telefonat fiks, shumë herë më të larta sesa vlera e  impulseve të konsumuara
Qytetarët abonentë të Kompanisë Albtelekom, ankohen se kjo kompani, prej disa kohësh po abuzon me anë të faturave telefonike. Fatura mujore e shërbimit telefonik, sipas qytetarëve të Tiranës, vjen me një vlerë shumë më të madhe se shuma e impulseve që ata kanë konsumuar gjatë bisedave telefonike. Për këtë shkak shumë pajtimtarë, janë revoltuar nga vlera e shënuar në faturat e tyre telefonike, vlerë e cila nuk përputhet aspak me konsumin mujorë telefonik. Ndërkaq, reagimet dhe ankesat e shumta nga ana e abonentëve pajtimtarë për shkak të faturave të kripura, janë shpërfillur nga zyrat përkatëse të Albtelekom, pikërisht zyrat postare ku arkëtohen detyrimet, duke u justifikuar se abonentët mund të kenë kryer thirrje jashtë vendit, të cilat kushtojnë disa herë më shumë se sa thirrjet brenga vendit, apo thirrjet lokale. Megjithatë, pjesa dërrmuese e qytetarëve që kanë pasur probleme dhe pakënaqësi në lidhje me shumat e faturuara për telefonin fik, pohojnë se nuk kanë kryer asnjë thirrje ndërkombëtare, ndërkohë kanë kërkuar listën e thirrjeve që kanë konsumuar gjatë muajit bashkë me numrat e thirrur, nga Kompania Albtelekom. Probleme, ankesa dhe tendosje nervash, në lidhje me vlerën dhe pagesën e faturës së telefonisë fikse kanë kohë që kanë nisur në kryeqytet. Kjo situatë konstatohet lehtësisht nëpër sportelet e shumta në kryeqytet, ku abonentë gjithnjë ankohen për tarifat e larta dhe në shumë raste ata largohen të revoltuar pa paguar faturën duke i nënshtruar kështu taksave të tjera për kamatë vonesën. Ka 2-3 muaj se vlera e shënuar në faturën për shërbimin telefonik, më vjen më e lartë sesa impulset që kam konsumuar gjatë muajit. Për këtë jam ankuar disa herë pranë zyrave të Albtelekom, por nuk më kanë dhënë asnjë arsye për këtë fenomen. Vetëm më kanë thënë se mund të kem kryer thirrje ndërkombëtare, ndërsa telefoni fiks që mbajë unë, është i lidhur vetëm brenda përbrenda Tiranës. Siç e shikon, këtë herë, fatura e shërbimit mujorë telefonik shënon një shumë prej 3448.07 lekë, vlerë e cila është krejtësisht e papranueshme dhe nuk përputhet aspak me impulset e konsumuara, u shpreh për gazetën SOT, një abonent me nr. Seria të faturës: 000010529839.  Përveç ndërprerjes së sinjalit telefonik, siç konstatohet Kompania Albtelekom, me anë të faturave në tym, të shërbimit telefonik mujorë, po i shfrytëzon dhe po i rrënon qytetarët na ana ekonomike, duke fituar kështu në mënyrë të paligjshme shuma parash të pa llogaritura. Gjithashtu, këto reagime dhe pakënaqësi nga qytetarët abonentë, tregojnë edhe një herë se kjo komani akoma ende vazhdon të mbete në kufijtë e mëparshëm kur ishte komani shtetërore. Ndërkaq, qytetarët e kryeqyteti deklarojnë se në qoftë se ky fenomen do të përsërit sërish muajt e ardhshëm dhe Kompania Albtelekom nuk do ti dëmshpërblejë për dëmin ekomomik që u ka shkaktuar, ato do të ankohen tek Avokati i Popullit dhe më tej do të ndërpresin përfundimisht kontratën për shërbimin telefonik me këtë kompani. Kam ardhur këtu pranë zyrave të Albtelekom, për tu ankuar për vlerën e lartë të faturës telefonike. Ajo është tepër e lartë dhe nuk përputhet me impulset e konsumuara. Kam kryer vetëm biseda telefonike lokale dhe nuk i kam harxhuar rreth 3 400 lekë që janë shënua në faturë. Përveç faturës mujore që duhet ta paguaj, unë kërkoj edhe faturën analitike me listën e thirrjeve që kam kryer, shprehet anëtarja e familjes Dervishi, banore e lagjes Ali Demi. Qytetarët kërkojnë nga Kompani Albtelekom që, bashkë me tarifën mujore për shërbimin telefonik, të pajisen edhe me një faturë tjetër analitike, e cila përmban të renditura saktësisht telefonata e kryera, ku paraqiten qartë minutazhi i thirrjeve, vendi ku kryhet thirrja, koha etj.
Abuzimet e me përpilimin e faturave
Qytetarët pajtimtarë të Kompanisë Albtelekom, pretendojnë se kjo kompani ka abuzuar gjatë përpilimit të faturave për shërbimin telefonik mujorë, duke mos respektuar shumën reale që ka konsumuar abonenti. Madje, sipas tyre edhe në muajit që nuk kanë kryer asnjë thirrje jo vetëm ndërkombëtare, por edhe lokale, faturat kanë ardhur njëlloj si herë të tjera me shumë të mëdha. Albtelekom, ka gjetur një mënyrë shumë efikase, për të rënduar më tej ekonominë e brishtë të qytetarëve me vjedhjen që po u bën këtyre të fundit me anë të faturave të shërbimit telefonik. Ndërkaq, kërkesa e vetme e qytetarëve, ligjore dhe më njerëzore, është pajisja me faturën analitike, pra për të verifikuar në detaje thirrjet që kanë kryer, gjë e cila ka munguar deri më sot.
************************
Ankohen Qytetarët
Astrit Dervishi
Ashtu si edhe herë të tjera kam ardhur për të verifikuar thirrjet që kam kryer, sepse  muaj se vlera e shënuar në faturën për shërbimin telefonik, sipas mendimit tim, është disa herë më e lartë sesa impulset që kam konsumuar. Kontratën e kam anëshkruar vetëm për të kryer thirrje brenda për brenda Tiranës dhe asnjë thirrje nuk kam kryer kundrejt numrave kombëtarë apo ndërkombëtarë. Megjithatë, këtu te zyra e ankesave më thonë se mund të kem kryer thirrje ndërkombëtare. Deri më tani Kompania Albtelekom jo vetëm që nuk ka dëmshpërblyer për dëmin që po na shkakton, por as që i merr parasysh kërkesat tona.
Besim Sina
Natyrisht që jam i shqetësuar, sepse këtë muaji fatura e shërbimit telefonik mujor më ka ardhur me shifër rreth 4 000 lekë, vlerë e cila nuk përputhet me kohën e bisedave telefonike. Kam kërkuar fletën analitike, e cila përmban të gjitha telefonatat e kryera, kohen e bisedave dhe llojin e tyre, por kjo është shumë e vështirë. E para kjo duket e pamundur për shkak të procedurave të ngatërruara që duhen ndjekur. Së dyti, sipas zyrës së ankesave, duhet të bëhet një kërkesë paraprake për këtë fletë bashkë me një taks. Megjithatë, nëse fatura do të vijojë të më vijë më këtë shifër, unë do ta ndërpres kontratën sepse po më shkon dëme të mëdha ekonomike.  
 **************************************************************************************************************************
Albtelekom, shpërfill ankesat e qytetarëve për faturat telefonike
Sipas qytetarëve pajtimtarë të Kompanisë Albtelekom, për shërbimin e telefonik, zyra e ankesave të kësaj kompanie, është treguar shpërfillëse dhe armiqësore ndaj tyre, për sa i përket problemit në lidhje me faturat telefonike. Kohët e fundit me dhjetëra qytetarë, janë ankuar si tek Avokati i Popullit ashtu edhe në zyrat e ankesave të Kompanisë Albtelekom, për dëmin e ekonomik të shkaktuar nga kjo kompani me anë të faturave mujore telefonike. Abonentët, kanë kërkuar sqarime dhe dëmshpërblim për çmimet e pathemelta të faturave telefonike që, sipas tyre nuk përputhen aspak me impulset e konsumuar gjatë muajit. Sipas zyrave në fjalë vlera e faturuar mujore, është e justifikuar me rritjen e tarifave telefonike dhe me dendësinë e telefonave ndërkombëtare të kryera nga abonentët. Megjithatë, zyrat e ankesave të Kompanisë Albtelekom, nuk pranojnë në mënyrë kategorike që, abonentëve ankues, përveç faturës së telefonit, ti pajisë edhe me faturën analitike të thirrjeve, e cila do të eliminonte çdo mosmarrëveshje midis kompanisë dhe pajtimtarëve të saj. Kështu, përveç ankesave në lidhje me faturat e shërbimit telefonik, abonentin janë revoltuar edhe nga qëndrimi që kanë mbajtur punonjësit e Kompanisë Albtelekom, ndaj kërkesave të tyre. Ndërkaq, kërkesat e qytetarëve për çmimin e faturave telefonike, janë cilësuar tepër të drejta edhe nga Avokati i Popullit, por deri më tani nuk është respektuar dhe dëmshpërblyer asnjë prej tyre. Po ti referohemi ligjit Nr. 1935, të vitit 2003, Për mbrojtjen e konsumatorit, është saktësuar se abonentëve duhet tu jepet pa pagesa lista analitike të thirrjeve telefonike, gjithmonë nëse abonenti e dëshiron, apo nuk është dakord më çmimin e faturës. Megjithatë, të gjitha faktet flasin se kjo e drejtë për të verifikuar thirrjet e kryera u është mohuar dhe vazhdon ende tu mohohet qytetarëve nga Kompania Albtelekom.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›