E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi falënderon shtetet anëtare të NATO dhe SHBA

Prova e parë, zhvillimi i zgjedhjeve sipas standardeve
Presidenti Topi ka falënderuar kryetarët e shteteve anëtare të NATO-s dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për mbështetjen që i dhanë Shqipërisë dhe shqiptarëve në këtë tranzicion të vështirë, Në darkën zyrtare të samitit të NATO-s presidenti Topi u shpreh se është shumë i lumtur që përfaqëson Shqipërinë në ngjarjen më të madhe, në rrugëtimin e rëndësishëm drejt demokracisë dhe lirisë. Ne nuk do mundnim kurrë të arrinim këtu sot në se nuk do të ndjenim në hapat tona ndihmën, këshillën dhe miqësinë tuaj, u shpreh presidenti gjatë fjalës së tij në darkën e punës, të zhvilluar për kryetarët e shteteve anëtare të NATO-s. Duke e vlerësuar anëtarësimin e Shqipërisë në Aleancë tepër të rëndësishëm, ka theksuar se ky anëtarësim do të nxisë Shqipërinë në hapat e saj në integrimin e mëtejshëm euroatlantik. Ky anëtarësim do të ndihmojë zhvillimin e demokracisë së brendshme dhe reformat politike, ushtarake dhe ekonomike në Shqipëri, do të nxisë hapat e saj në integrimin e mëtejshëm euroatlantik. Prova e parë do të jetë zhvillimi sipas standardeve i zgjedhjeve të ardhshme politike të qershorit 2009, ka theksuar kreu i shtetit. Sipas tij, Shqipëria e meriton këtë anëtarësim dhe kontributi i Shqipërisë, anëtare e re e Aleancës, do të bëhet pjesë e qëllimit të reformës në Selinë e NATO-s për të dhënë rezultatin e përbashkët të kërkuar nëpërmjet përdorimit efikas të burimeve njerëzore dhe financiare. Ne do të përqafojmë konceptet e strategjisë së Aleancës për të përballuar së bashku me sukses sfidat e vështira që kemi përpara. Shqipëria e vogël vjen në këtë Samit për të pohuar vendosmërinë e saj se e meriton këtë anëtarësim. Ajo ka mbështetjen pothuajse të plotë të qytetarëve të saj, konsensusin e plotë politik dhe mediatik dhe përgjegjësinë për të përmbushur detyrimet në përpalljen me sfidat e përbashkëta, ka theksuar presidenti Topi. Sipas kreut të shtetit, prova e parë do të jetë zhvillimi sipas standardeve i zgjedhjeve të ardhshme politike të qershorit 2009. Duke u ndalur në rolin e Shqipërisë në rajon, presidenti deklaroi se angazhimi me të drejta të plota në NATO do të rrisë cilësisht rolin aktiv dhe të moderuar të Shqipërisë në rajonin e Ballkanit duke shtrirë brezin e sigurisë rajonale në kufijtë e Kosovës, Malit të Zi dhe të Maqedonisë, duke krijuar një standard të ri të bashkëpunimit ballkanik dhe duke u bashkuar me hapësirën e sigurisë mesdhetare. Prania e NATO-s është një instrument për të garantuar një Kosovë shumë-etnike për të konsoliduar stabilitetin dhe sigurinë e vendit dhe për të ndihmuar me përvojë forcën e sapokrijuar të sigurisë së Kosovës. Mendoj se përkrahja e tendencave euroatlantike të Serbisë do të kontribuojë pozitivisht duke ndaluar burimet e financimit dhe mbështetjes nga ana e Beogradit të strukturave paralele në Kosovë. Anëtarësimi na bën të përgjegjshëm ndaj sfidave globale të Aleancës dhe më të vendosur për tu bërë pjesë e përballjes me to dhe e zgjidhjeve politike apo ushtarake që ofron Aleanca, ka theksuar kreu i shtetit. Gjatë fjalës së tij, presidenti Topi ka bërë të ditur se Shqipëria do ti bashkohet angazhimit të Aleancës ndaj politikave të reja dhe hapave që synojnë stabilizimin e Afganistanit, duke konfirmuar edhe një herë faktin se Shqipëria do të shtojë trupat e saj në Afganistan. Duke shtuar një kompani tjetër në kuadër të ISAF-it, duke u shprehur të gatshëm të ofrojmë shkollim për studentët afganë në fushën e mjekësisë dhe duke u përpjekur, së bashku me qeverinë afgane, të gjejmë prioritetet e bashkëpunimit në fusha të tjera. Për të arritur progres të qëndrueshëm, është thelbësor qëndrimi gjithëpërfshirës ndaj të gjitha aspekteve. Për këtë arsye, Shqipëria mbështeti zhvillimin e konferencës për Afganistanin më 31 mars, ka vijuar ai, duke shtuar se Shqipëria shpreson dhe dëshiron që Rusia të angazhohet në dialogun NATO-Rusi me dëshirën e mirë dhe frymë bashkëpunuese. Në fund të fjalës së tij, presidenti Topi duke u ndaluar në qëllimet e Aleancës për një të ardhme më të sigurt dhe për një siguri më të qëndrueshme dhe afatgjatë, ka theksuar se na bëjnë të qëndrojmë më fort të lidhur ndaj vlerave të përgjithshme dhe parimeve të demokracisë për zhvillimin dhe mirëqenien e kombeve tona.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›