E Shtunë, 31 Tetor 2026

Keçi: Bashkia mund të paditet



Prefekti i Tiranës, Ruzhdi Keçi, deklaroi dje për mediat se buxheti i Tiranës është i çelur dhe se vendimi i Këshillit Bashkiak prevalon mbi qëndrimin e tij. Në këtë mënyrë, Tirana tashmë, sipas Keçit, ka buxhet, porse kjo mund të kontestohet në gjykatë. Keçi la të hapur mundësinë e paditjes së Bashkisë së Tiranës për shkelje të ligjit në hartimin e buxhetit.

"Tashmë pavarësisht dhe nëse vërejtjet e prefektit nuk janë marr parasysh, është e drejtë e këshillit, ligji ka caktuar pra, vullnetin e këshillit të dominojë. Tashmë buxheti konsiderohet i hapur dhe mbetet për ta vlerësuar situatën prefekti dhe për të vendosur nëse do ta atakojë apo jo me rrugë gjyqësore. Unë akoma nuk e kam marrë zyrtarisht, kjo mbetet për ta vlerësuar situatën", - tha Ruzhdi Keçi, prefekt i Tiranës.

Buxheti i kryeqytetit është kthyer kohët e fundit në një “mollë sherri”. Projektbuxheti i Bashkisë së Tiranës, i rrëzuar dy herë me shumicë votash, nga këshilltarët e PD-së dhe të LSI-së, u diskutua në mbledhjen e 3 shkurtit dhe kaloi në votim. Kryebashkiaku Edi Rama, i pranishëm në sallë, numëroi vetë votat pro, pa pritur përfundimin e procesit, duke deklaruar se “projektbuxheti u miratua me 29 vota”, ndërkohë që përfaqësuesit e PD-së dhe LSI-së votuan kundër. Ata e konsideruan këtë projekt "të jashtëligjshëm dhe buxhet paraelektoral".

Prefekti i Tiranës, Ruzhdi Keçi, me një vendim të datës 24 shkurt e ktheu për shqyrtim projektbuxhetin e Tiranës duke deklaruar se "sipas procedurës, Këshilli Bashkiak duhet të mblidhet edhe një herë për ta rishqyrtuar sërish atë”, duke ngulmuar se ka shkelje ligjore në nenet 19 të ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e pushtetit vendor”. Por, Bashkia e Tiranës filloi zbatimin e buxhetit, ndonëse ai nuk ka hyrë në fuqi, akt për të cilin nevojitet firma e prefektit.

Në mbledhjen ku u diskutua kërkesa e prefektit më 30 mars Lëvizja Socialiste për Integrim ka ndryshuar 180 gradë qëndrimin e saj për Buxhetin e Tiranës, duke e cilësuar atë të miratuar. Ndonëse ende buxheti ka fondin e komunitetit, që u cilësua si skandal nga LSI-ja pak ditë më parë, anëtarët e LSI-së e cilësuan buxhetin transparent dhe thanë se ishte miratuar më 3 mars.

Por ankesat e prefektit që kishin të bënin me shkelje ligjore, përfshi këtu edhe vetë formatin e buxhetit nuk u reflektuan. Në këtë mënyrë, rruga e vetme ligjore që i ka mbetur prefektit është gjykata.

Pas një viti

Nënshkruhet kontrata për rindërtimin e sheshit “Skënderbej”

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, ka nënshkruar dje kontratën me qeverinë kuvajtiane për fondin prej 5 milionë eurosh për rikonstruksionin e sheshit ‘’Skënderbej’’. Përfaqësuesi i qeverisë kuvajtiane, Ismail Alshati, u shpreh se'' bashkëpunimi mes Bashkisë së Tiranës dhe qeverisë se tij, synon të shtrihet edhe me gjerë në vepra të tjera të rëndësishme për Tiranën dhe qytetarët e saj''. Para një viti studioja arkitekturore belge 51 N4E është shpallur fituese në konkursin e rehabilitimit të sheshit ''Skënderbej.'' Juria ka vendosur unanimisht për vizionin e kësaj studioje, duke vlerësuar strukturën arkitekturale, cilësitë urbane të projektit, ndërhyrjet dekorative, hapësirat e lira, lëvizjen e kalimtarëve dhe së fundmi edhe koston financiare dhe afatin e realizimit të projektit. Sipas projektit fitues, qendra e sheshit ''Skënderbej'' do të ngrihet në nivel, në formën e një piramide, nga kulmi i së cilës mund të shihet i gjithë sheshi. Brenda qendrës do të ndërtohen shatërvanë, ku uji do të jetë i ngjyrave dhe sasive të ndryshme. Ndërtesat ekzistuese nuk do të preken, por do të ndërhyhet tek Teatri i Operas dhe Baletit ku do të ndërtohet një hyrje e re, me qëllim që t’i jepet më shumë jetë kësaj godine. Gjithashtu, do të ngrihen disa ndërtesa me lartësi të njëjtë, të cilat do të shërbejnë si qendra tregtare.

Politekniku

Pedagogë nga Gjermania dhe Italia

Studentët e vitit të parë të sistemit Master të nivelit të dytë të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike në Tiranë po përfitojnë këtë vit një cikël leksionesh të përgatitura nga pedagogë gjermanë dhe italianë. Këta pedagogë, pjesë e universiteteve të njohura si ai i Siegenit në Gjermani dhe të Politeknikut të Barit, po zhvillojnë edhe praktika mësimore me teknikat audio-vizive bashkëkohore. “Ardhja e pedagogëve të huaj mundësohet falë një bashkëpunimi të suksesshëm ndërmjet Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike dhe Institutit të Fluideve dhe Termodinamikës të Universitetit Siegen në Gjermani”, - tha dje prof. dr. Ing. Angjelin Shtjefni, drejtues i Departamentit të Energjitikës në Universitetin Politeknik. "Ky bashkëpunim u mundësua në sajë të financimit të qeverisë Gjermane dhe në këtë kuadër 10 studentë të dalluar kanë përgatitur diplomat pranë IFT-së të Universitetit te Siegenit”, - tregoi Shtjefni, duke shtuar se këtë vit bashkëpunimi është shtrirë edhe më tej në fushën e mësimdhënies. Kështu në kuadër të realizimit të procesit të Bolonjës, është krijuar mundësia që profesorë të Universiteti të Siegenit dhe të Politeknikut të Barit të vijnë dhe të zhvillojnë një modul leksionesh në Shqipëri.

Fushë-Krujë

Garuli: Furrat e gëlqeres, nën kontroll

Aktiviteti i furrave të gëlqeres në zonën e Fushë-Krujës është nën kontroll të plotë, ndërsa situata vazhdimisht ka një tendencë përmirësimi. Duke e konsideruar këtë fakt si një nga sukseset e Ministrisë së Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, zv.ministri Aleksandër Garuli tha të premten dje se, "rreth 200 biznese familjare që ushtrojnë veprimtarinë në zonën e Fushë-Krujës, tashmë janë të grupuara dhe të kontrolluara". Sipas tij: "Është disiplinuar lënda djegëse, por kryesore mbetet përqendrimi në të njëjtin vend dhe jo shpërndarja në të gjithë zonën, pasi të grupuara, ato janë dhe të kontrolluara". Zv.ministri i Mjedisit pohon se “për 4 zona të grupimit në Krujë, ku ndodhen 40-50 furra në të njëjtin vend, janë bërë transferimet e tyre nga lagjet apo dhe oborret e shtëpive. Furrat e gëlqeres në Fushë-Krujë kanë ekzistuar edhe para viteve 1990 dhe në përgjithësi, si veprimtari familjare, që funksiononin të shpërndara në të gjithë territorin, deri dhe në oborret e shtëpive”, - pohon zv.ministri i Mjedisit. Rritja e kontrollit të aktivitetit të furrave të gëlqeres në Fushë-Krujë ka ndikuar dhe në përmirësimin e ajrit të Tiranës, pasi erërat e disfavorshme sillnin më parë ndotje.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›