Gjirokastra në fillim të shekullit XX, ekspozitë me 50 foto të rralla
Gjirokastra në fillim të shekullit XX është titulluar ekspozita fotografike e çelur dje në qytetin e gurtë. Ka qenë një iniciativë e konkretizuar nga ana e Drejtorisë Rajonale të Turizmit dhe Kulturës Kombëtare, e cila ka pasur si bashkëpunëtorë edhe Zyrën e Administrimit dhe Koordinimit të Qytetit Muze, shoqatës Dante Aligeri si dhe të Studio Vito. Në këtë ekspozitë janë sjellë pjesë dhe copëza të qytetit të gurtë në fillim të shekullit të kaluar, duke risjellë edhe një herë në kujtesën dhe vëmendjen e opinionit gjirokastrit, insertet e para fotografike të pazbuluara më parë.
Interesimi për këtë ekspozitë ka qenë i jashtëzakonshëm pasi për herë të parë silleshin foto nga objekte karakteristike të qytetit, që tashmë nuk ekzistojnë. Ura e ujësjellësit të vjetër të qytetit ngritur nga Ali Pashai, ish godina e Prefekturës, ish Kinemaja e vjetër e qytetit e shumë të tjera kanë qenë objektet që dikur kanë qenë pjesë e qytetit të gurtë por që me zhvillimet urbanistike vit pas viti, ato u shembën apo u transformuan. Për organizatorin e kësaj ekspozite Spartak Drasa njëkohësisht drejtor i Drejtorisë së Turizmit dhe Kulturës Kombëtare, në këtë ekspozitë u paraqitën rreth 50 fotografi të zonëve karakteristike të qytetit si kështjella, pazari karakteristik, ujësjellësi i gurtë i kalasë etj të cilat kanë një ndjeshmëri dhe afeksion nostalgjie për çdo gjirokastrit apo dhe për ata që mbajnë mend detajet fotografike të dikurshme të qytetit. Fotografitë janë realizuar nga fotografë të ndryshëm në vitet e para të shekullit të kaluar duke mbartur kështu krahas vlerave artistike edhe një dëshmi dokumentare të Gjirokastrës së atyre viteve. Në këtë eveniment merrte pjesë edhe konsulli i përgjithshëm italian në Vlorë, Serxhio Strozi, i cili ka kryer vizitën e parë zyrtare në Gjirokastër. Takimi me kryetarin e bashkisë, Flamur Bime ka qenë i pari në një sërë kontaktesh të marra me drejtues të institucioneve lokale në Gjirokastër. Gjatë këtij takimi konsulli është njohur me projektet dypalëshe italo-shqiptare të zbatuara gjatë viteve të fundit në qytetin e gurtë. Nga ana e vet, diplomati italian ka shprehur gatishmërinë për vijimësinë e bashkëpunimit.