E Shtunë, 31 Tetor 2026

Albtelekomi do të ulë deri në 57 për qind tarifat për abonentët



Kompania e telefonisë fikse Albtelekom, duke filluar nga data 15 shtator, do të ulë të gjitha tarifat për bisedat telefonike kombëtare deri në 57 për qind. Sipas burimeve zyrtare të kësaj kompanie, në zbatim të vendimit të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, Albtelekom ka ribalancuar tarifat për të gjitha kategoritë e thirrjeve të kryera nga abonentët tonë. "Duke filluar nga data 15 shtator, bisedat telefonike kombëtare, brenda rrjetit Albtelekom, do të ulen sipas kategorive, që arrijnë deri në 57 për qind", thanë burimet e mësipërme. Sipas këtyre burimeve, Albtelekom pritet të ulë ndjeshëm dhe tarifat e bisedave telefonike ndërkombëtare.

Rriten shkëmbimet tregtare me Turqinë në vlerën 16.4 miliard lekë

Shkëmbimet tregtare të Shqipërisë me Turqinë gjatë 7-mujorit të këtij viti arritën në vlerën 16 miliard e 453 milion lekë. Sipas të dhënave të publikuara në faqen e internetit të INSTAT-it, vlera e importeve llogaritet 15 miliard e 40 milion lekë, ndërsa eksportet 1 miliard e 413 milion lekë. Struktura e importeve përfaqësohet nga sektori i mineraleve, konfeksione dhe veshje, materiale druri, metale si gizë, çelik, tela bakri, profile alumini, makineri e pajisje, etj. Ndërsa eksportet drejt Turqisë ishin kryesisht prodhime druri. Vlerën më të lartë të importeve e shënoi grupi materiale ndërtimi dhe metaleve, duke arritur në 4 miliard e 979 milion lekë, ndërsa për eksportet vlerën më të lartë e shënoi grupi mineraleve të lëndëve djegëse dhe energjisë elektrike.

Banka Botërore do të prezantojë indikatorët “Si të bësh biznes”

Zyra e Bankës Botërore në Tiranë, do të organizojë të martën një sesion të shkurtër informues mbi indikatorët e raportit "Si të bësh biznes", ku do të përfshihen të gjitha hallkat, fillimi i një biznesi, marrja e lejes së ndërtimit, marrja në punë, regjistrimi i pasurisë, marrja e kredisë, mbrojtja e investitorëve, pagimi i taksave, zbatimi i kontratave, mbyllja e një biznesi. Indikatorët e raportit "Si të bësh biznes" do të prezantohen nga vetë Shefja e Zyrës së Bankës Botërore në Tiranë, Camille Nuamah, thanë burime zyrtare të BB. Raporti global i këtij viti "Si të bësh biznes 2008" e radhiti Shqipërinë në vendin e 136 nga 178 ekonomi të marra në analizë në lidhje me lehtësinë e të bërit biznes. Në tregues të veçantë, renditja për Shqipërinë është nga vendi i 48-të për marrjen e kredisë, në të 165-tin për mbrojtjen e investitorëve.

8 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›