E Shtunë, 31 Tetor 2026

Unaza e Madhe, banorët që mund të përfitojnë strehim nga bashkia



Emanuela Sako

Ndërtimi i Unazës së Madhe pritet të nxjerrë në rrugë mjaft banorë të zonës, të cilët nuk disponojnë dokumentet e pronësisë. Bashkia e Tiranës ofron dy programe në ndihmë të qytetarëve që nuk kanë mundësi jetese dhe strehimi në kryeqytet. Por, për përfitimin e trajtimit me një nga programet sociale janë të vendosura disa kritere. Në këtë mënyrë, të gjithë qytetarët e Tiranës që nuk kanë mundësi strehimi kanë të drejtë të aplikojnë pranë Bashkisë për t’u trajtuar me bonusin e qirasë apo me programin e strehimit social. Në të gjithë zonën e zbatimit të projektit për Unazën e Madhe janë dhjetëra qytetarë që kanë ngritur bizneset apo kanë ndërtuar shtëpitë e tyre. Banorët janë lajmëruar për t’u larguar nga shtëpitë e tyre dhe të sigurojnë një vendbanim të ri, pasi zbatimi i projektit prek banesat e tyre. Por këtu bëhet fjalë për të gjithë ata banorë që nuk kanë asnjë dokument pronësie. Ndërsa banorët që janë pronarë të tokës apo të banesës do të shpronësohen të gjithë.
Strehimi
Të gjithë qytetarët që mund të ngelen jashtë skemës së kompensimit mund të aplikojë në dy projektet e Bashkisë, duke iu ofruar si mundësi zgjidhjeje për ata që plotësojnë kushtet e përfitimit. Bashkia e Tiranës ka vënë në dispozicion të qytetarëve dy mënyra të trajtimit me një nga programet e strehimit social, të cilat janë bonusi i strehimit dhe bonusi i qirasë. Personat që trajtohen nga Bashkia e Tiranës si të pastrehë, por që janë përzgjedhur si përfitues të bonusit të qirasë, kanë më shumë mundësi përfitimi të bonusit të strehimit në banesat sociale me qira të ulët. Ky është edhe ndryshimi mes dy mënyrave të trajtimit social. Njëra nga mënyrat është bonusi i qirasë, nëpërmjet të cilit familjarët zgjedhin një shtëpi në një nga zonat e Tiranës dhe u paguhet nga Bashkia. Ndërsa familjarët që do të trajtohen me strehimin social duhet të marrin një nga shtëpitë që Bashkia e Tiranës po ndërton në Shkozë të Tiranës. Banesa do të jepet nga Bashkia e Tiranës me një kosto më të ulët nga sa mund të gjendet në treg.
Kriteret
Kriteret që duhet të plotësohen për t’u klasifikuar dhe për t’u trajtuar me programet sociale të strehimit janë disa dhe tregojnë pamundësitë e familjeve për të jetuar. Kështu, familjet që me vendim të Këshillit Bashkiak klasifikohen për t’u trajtuar me një nga programet sociale të strehimit janë familjet që nuk kanë në pronësi një banesë; që zotërojnë sipërfaqe banimi nën normat e strehimit të përcaktuara për atë kategori sociale dhe ekonomike ku bëjnë pjesë këto familje; ato familje që kanë mbetur të pastreha si rezultat i fatkeqësive natyrore. Në këtë skemë përfshihen vetëm ato familje që kanë të ardhura të pamjaftueshme. Bashkia e Tiranës ofron mundësinë e trajtimit me bonus qiraje për qytetarët të cilët nuk kanë të ardhura të mjaftueshme për të përballuar qiranë e tregut, deri në momentin e trajtimit përfundimtar me strehim. Bonusi nënkupton pagimin e një pjese të qirasë që paguan kjo kategori qytetarësh. (Familje të cilat nuk kanë të ardhura të mjaftueshme për të përballuar qiranë e tregut). Masa e pagesës që do të përfitojë familja do të llogaritet duke u bazuar te aftësia paguese e familjes (të ardhurat totale të familjes) dhe masa e qirasë që paguan kjo e fundit.
Projekti
Projekti i Bashkisë së Tiranës për ndërtimin e Unazës së Madhe atë pjesë të kryeqytetit që nis që nga Shkolla Teknologjike dhe deri te Rruga e Elbasanit. Ndërtimi i një pjese të Unazës së Madhe lidh Rrugën e Durrësit me Rrugën e Kavajës dhe kjo pjesë ka një gjatësi rreth 2.2 kilometra, ku përfshihet edhe zgjerimi.
Projekti për këtë rrugë është menduar të kalojë në zonën e Selitës, pranë Kopshtit Botanik dhe Zoologjik, në kodrat mbrapa Parkut të Madh të Tiranës, në Kodrat e Saukut, nga ku do të lidhet me Rrugën e Elbasanit pranë Akademisë së Rendit Publik. Në projektin e kësaj rruge përfshihet dhe sistemi i sinjalistikës vertikale dhe horizontale, si dhe semaforët në të gjitha kryqëzimet në nivele. Rruga është parashikuar të ketë edhe disa rrethrrotullime në zona të caktuara, si në “Kopshtin Botanik” dhe në Rrugën e Elbasanit. Ndërsa është parashikuar që të ndërtohet me 4 deri në 6 korsi në disa segmente kyçe. Sipas vendimit të qeverisë, një metër katror tokë është vlerësuar me 12.335 lekë. Kostoja totale e shpronësimeve është 39.879.055 lekë. Afati i shpronësimit për të gjithë pronarët mund të përfundojë në muajt e parë të 2009-s, ndërsa përcaktimi me vendimin e qeverisë është e përcaktuar më 3 mars.

8 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›