Albtelekomi nis shtimin e numrave fiks për Tiranën
Kompania e telefonisë fikse, “Albtelekom”, ka nisur projektin e shtimit të numrave fiks në disa zona të Tiranës. Drejtori i Përgjithshëm i Albtelekomit, Mustafa Reshit Akdogan, bëri të ditur dje në një konferencë për shtyp se "Albtelekomi ka nisur një projekt për shtimin e numrave fiks në zonat Garden City, Spitali Ushtarak, Universiteti ‘Epoka’ dhe Fusha e Aviacionit”. Në kuadër të këtij projekti, Albtelekomi, duke nisur nga dita e hënë, do të shtojë rreth 15 mijë numra në zonën e Laprakës. Po dje kompania e vetme e telefonisë fikse në vend, “Albtelekom”, prezantoi ofertat për të gjithë klientët e saj rezidentë dhe biznes në shërbimin “ADSL” (internet), nën moton "Vitin që vjen asnjeri pa internet". Drejtori i Përgjithshëm, Akdogan, gjatë konferencës për shtyp tha se kompania “Albtelekom” ka përmirësuar ndjeshëm infrastrukturën dhe si rrjedhojë, edhe shërbimin dhe ofertat për të gjithë abonentët. "Që nga fillimi, Albtelekomi, përveç uljes së tarifave të shërbimit internet deri në tri herë, ka shtuar edhe ofertat duke bërë dhuratë për klientët e rinj një modem ose duke ofruar tarifën e instalimit falas, - vijoi Akdogan, - por, për të qenë sa më afër nevojave të klientëve tanë, nga data 22 dhjetor, Albtelekomi vjen me një superofertë, modem, instalim falas, si dhe 50 për qind ulje në muaj".
20 Dhjetor 2008