Ende asnjë zgjidhje për Gjirokastrën, vazhdon greva e 15 familjarëve
GJIROKASTËR- Greva e urisë e banorëve të pallatit të shembur në Gjirokastër ka hyrë në ditën e pestë të saj, ndërsa banorët deklarojnë se nuk dalin nga rrënojat. Ata kanë theksuar se do të vijojnë të hënën me një protestë përpara godinës së Prefekturës ku do të kërkojnë dëmshpërblimet për apartamentet që u shemben. Ky veprim i tyre vjen pas vendimit të marrë për skemën e dëmshpërblimin. Banorët shprehen se nuk janë aspak dakord me vlerat e kompensimit të miratuara nga qeveria së fundmi. Nën rrënoja, bashkë me 10 kryefamiljarët e këtij pallati, kanë hyrë edhe gratë me fëmijët, të cilët do të qëndrojnë nën gërmadha bashkë me kryefamiljarët që kanë hyrë në grevë urie.
Dëmshpërblimet e ofruara nuk kanë gjetur aprovimin e banorëve, të cilët tashmë shprehen më të indinjuar pas paraqitjes së një skemë të cilët sipas tyre nuk është aspak normale. Dy ditë më parë reagoi presidenti Topi, i cili kërkoi nga qeveria dhe Bashkia e Gjirokastrës që të dëmshpërblehen familjet e pallatit të shembur më 9 nëntor në Gjirokastër. Po ditën e enjte reagoi edhe zëvendëskryeministri Pollo, i cili u shpreh se do të bëhet dëmshpërblim, me kushtin që e majta duhet të detyrojë kryebashkiakun e Gjirokastrës, Flamur Bime që të lërë detyrën, pasi e fajësoi për ngjarjen e rëndë. Deputeti i zonës, Vangjel Tavo akuzoi qeverinë për heshtjen që ka treguar në zgjidhjen e problemit. Aktualisht, në grevë ndodhën 10 burra dhe 5 gra, të gjithë banorë të ndërtesës që u shemb disa javë më parë.
20 Dhjetor 2008