E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përplasen makinat, 2 të vdekur dhe 4 të plagosur në Shkodër



SHKODËR - Dy persona humbën jetën dhe 4 të tjerë mbetën të plagosur në një aksident që ndodhi në Shkodër. Ngjarja ndodhi në aksin rrugor “Koplik-Bajzë”, kur dy makina tip “Benz” u përplasën me njëra-tjetrën. Të dhënat e para nga vendi i ngjarjes tregojnë se aksidenti ishte fatal për jetën e dy personave që ndodheshin në automjete. Sipas policisë, nga përplasja humbi jetën në vend një fëmijë 7-vjeçar me iniciale E. B. dhe një grua rreth të 60-ve, e quajtur Mrije Shabi. Ndërkohë që mbetën të plagosur rëndë shtetasit, Xhyhere Bajakurti; Fahri Bajakurti; Brunilda Bajakurti dhe Luigj Shabi. “Personat e dëmtuar u transportuan me urgjencë në spital, për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore”, - thanë burimet e policisë, duke shtuar se gjendja e tyre paraqitet kritike. Grupi i ekspertëve që mbërriti në vendin e ngjarjes është duke bërë ekspertizën për të nxjerrë një përfundim rreth shkaqeve të këtij aksidenti. Ky është i treti rast brenda këtij muaji ku aksidentet automobilistike shkaktojnë tragjedi.
Peqin
Ngjarja e rëndë e Shkodrës është pasuar nga një tjetër aksident i rëndë i ndodhur dje në Peqin. Një 74-vjeçar u aksidentua rëndë nga një automjet dje në mëngjes në Peqin, ndërsa ecte në aksin rrugor “Peqin-Rrogozhinë”. Burime të policisë bënë të ditur se automjeti që shkaktoi aksidentin u largua menjëherë nga vendi i ngjarjes dhe ende nuk është identifikuar. Sipas të njëjtit burim, 74-vjeçari A. GJ., i aksidentuar, u dërgua menjëherë në Spitalin kirurgjik të Elbasanit, ku ndodhet në gjendje kritike për jetën.
Numri i personave të akuzuar për veprën penale të “shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor” është në rritje, ndërkohë që dënimet për ta janë të lehta krahasuar me vepra të tjera penale.
Aksidentet
Statistikat e publikuara nga Gjykata e Tiranës tregojnë se për gjashtë muajt e parë të këtij viti janë dërguar për gjykim rreth 30 persona, ndërsa në të njëjtën periudhë të një viti më parë numri i tyre ishte 21. Vihet re fakti se pjesa më e madhe e këtyre proceseve zgjidhen me pajtim mes palëve. Në jo pak raste, një pjesë e personave të akuzuar për veprën penale “shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor” janë femra, shifër kjo që vazhdon të ketë rritje nga viti në vit. Vetëm për këtë gjashtëmujor numri i femrave të akuzuara për këtë vepër regjistrohet në 8, katër prej të cilave kanë kryer aksidente me pasojë vdekjen. Masa e dënimit për personat që akuzohen për këtë vepër penale shkon deri në 10 vjet burg, kur aksidentet janë me pasojë vdekjen dhe me gjobë kur aksidenti është i lehtë. Gjobat e vendosura nga gjykata për të gjithë personat e arrestuar me këtë vepër penale variojnë nga 50 mijë lekë (të rinj) - 500 mijë lekë. Nga statistikat e marra në Gjykatën e Shkallës së Parë të Tiranës mësohet se për vitin 2007 numri i personave të gjykuar për veprën penale të “shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor” ishte 56, 15 prej të cilëve u dënuan me burg. Të regjistruara gjithsej ishin 68 çështje të tilla.

20 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›