E Diel, 1 Nëntor 2026

Aldo Bare: Më lironi, më kanë mbaruar afatet e gjykimit

Kreu i Bandës së Lushnjës, Aldo Bare, do t‘i drejtohet Gjykatës së Krimeve të Rënda që të shuajë masën e sigurisë të vendosur ndaj tij në vitin 2006. Koha trevjeçare e paraburgimit në Turqi, si dhe shtyrja e njëpasnjëshme e procesit ndaj tij janë prova më e fortë për mbrojtjen e të fortit të Myzeqesë që do të paraqesë në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Avokati i Bares, Vladimir Meçi, do të paraqitet sot në gjykatë për të dorëzuar kërkesën, pasi ende nuk është lejuar që ta takojë në burg, me justifikimin se ndodhet në paraburgim dhe jo në një "kamp" ku të vuajë dënimin. Pas ekstradimit nga Turqia më 25 nëntor të muajit të shkuar me një avion special dhe në masa të rrepta sigurie, Bare do të përdorë të gjitha mjetet që t‘i shpëtojë drejtësisë me procedura. Ai do të kërkojë edhe rishikimin e vendimit të Gjykatës së Apelit në Durrës që e ka dënuar me shtatë vjet heqje lirie për akuzat e falsifikimit të dokumenteve. Si argument në këtë rast do të përdoret mosprezenca fizike e të akuzuarit. Bare u arrestua më 26 mars të vitit 2006 në Ankara të Turqisë, për veprën penale të "trafikut të lëndëve narkotike". Gjykata e Lartë turke vendosi asokohe ekstradimin e Bares në vendin tonë. Bare e kundërshtoi vendimin, duke pretenduar se do të vritet po të kthehej në Shqipëri. Ai akuzohet për vrasje, hedhje kokash në erë me eksploziv, pengmarrje, tortura dhe përdhunime të tmerrshme, të gjitha pjesë e jetës së një ish-polici. Fama e policit Alfred Shkurti alias Aldo Bare dhe e bandës që drejtonte mori udhë kur vendosën të bënin një xhiro në qytetin e Lushnjës, duke mbajtur në duar kokën e Artur Dajës, për të shënuar "kurorëzimin e mbretit të ri", që në pak kohë ishte shndërruar në liderin e padiskutueshëm të një grupi kriminal dhe një prej krerëve mafiozë më të rrezikshëm të Shqipërisë. Historia e kapobandës filloi të kishte një version zyrtar hetimesh shumë vite më vonë. Një dosje e mbushur me fakte dhe dëshmi, mbi një luftë mafioze dhe dhjetëra vrasje hakmarrjeje.

S.Ç.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›