E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria: Tre gjyqtarë të tjerë nën hetim

Tre gjyqtarë të tjerë, krahas gjyqtarit të Elbasanit, Qani Hasa, dhe gjyqtares së Krimeve të Rënda, Marsela Balili, janë nën hetim nga Prokuroria e Përgjithshme, nën akuzën e korrupsionit pasiv dhe marrjes së ryshfetit. Burime konfidenciale nga akuza qendrore thanë se në mbledhjet e ardhshme të KLD-së do të kërkojnë heqjen e imunitetit për një gjyqtar në Tiranë, një në Vlorë dhe një në Durrës. Sipas informacioneve nga akuza, kërkesat do të dërgohen në KLD, me gjithë dokumentacionin përkatës. Sipas tyre, në të tria rastet që janë hetuar në tre rrethe të ndryshme, ekzistojnë të gjitha provat se gjyqtarët në fjalë kanë marrë ryshfet nga sekserë dhe individë të ndryshëm. Provat janë filmimet dhe përgjimet e vetë individëve që kanë denoncuar, por nuk kanë munguar as verifikimet e prokurorëve. Kryeprokurorja Ina Rama, në një dalje publike të disa ditëve më parë, tha se imuniteti i gjyqtarëve po pengon hetimin ndaj tyre për akuzat ndaj korrupsionit. Menjëherë pas kësaj deklarate Këshilli i Lartë i Drejtësisë reagoi menjëherë duke iu përgjigjur pozitivisht thirrjeve të organit të akuzës për heqje imuniteti për çdo gjyqtar që është nën hetim për korrupsion.

S.Ç.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›