"Kokaina", lirohet me kusht Arben Përballa
Gjykata e Tiranës vendosi mesditën e djeshme lirimin nga burgu të Arben Përballës, i dënuar në procesin "Kokaina" nën akuzën e pjesëmarrjes në organizatë kriminale të trafikut të drogës. Mbrojtja e Përballës kishte argumentuar në gjykatë se Përballa kishte kryer një sjellje të mirë në burg, ndërsa kishte kryer ¾ e dënimit. Ai përfitonte nga shërbimet e provës dhe liria e tij ka ardhur me kusht. Vendimi është dhënë nga gjyqtari Ilir Çeliku, i cili, krahas mbrojtjes së Përballës ka dëgjuar në sallën e gjyqit edhe përfaqësuesit e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Këta të fundit, me një raport që e paraqitën në gjykatë deklaronin ndër të tjera se i dënuari kishte një sjellje shembullore dhe nuk ishte ndëshkuar ndonjëherë. Ai mund të përfitonte nga ligji dhe të lirohej, por me kusht. Ai do të jetë i lirë, por nën vëzhgim për moskryerje veprash penale deri në përfundimin e plotë të kohës së dënimit. Më 20 maj 2009, nga gjyqtari Arben Micko, ishte liruar edhe Sokol Koçiu. Në procesin "Kokaina" është liruar edhe Mentor Hadërgjonaj, ndërsa ndodhet në qeli Frederik Durda, i cili akuzohet edhe për arratisje nga vendet e vuajtjes së dënimit.
S.Ç.
S.Ç.