E Diel, 1 Nëntor 2026

Aldo Bare; Më vranë tim vëlla, nuk pyes më për njeri

Servete Haxhiu është një nga dëshmitaret e rëndësishme të procesit gjyqësor në ngarkim të të pandehurve të “Bandës së Lushnjes”, ashtu si dhe i shoqi, dy bashkëpunëtorët e drejtësisë dhe i penduari Petrit Liçi. Ajo është gruaja e Shkëlqim Haxhiut dhe ka qenë përjetuese e mjaft dhimbjeve që iu shkaktuan nga eksponentët e kësaj bande, rrëmbimi për disa orë dhe mbajtja peng në banesën e Alfred Shkurtit (Aldo Bare), djegia e shtëpisë dhe së fundi vrasja e djalit të saj. Por, Servetja as që ka mundur të vijë në sallën e gjyqit e të rrëfejë çfarë ka ndodhur, pasi që pas vrasjes së djalit nuk është më në gjendjen që ka qenë, tronditja i ka sjellë probleme në gjendjen shëndetësore. Prokurori i çështjes, me lejen e gjykatës, lexoi deklarimet e dhëna nga Servetja para oficerit të Policisë Gjyqësore. “Ishim shtrirë në krevat në katin e dytë të ndërtesës, kur dëgjuam zhurma. Dëgjuam zëra që bërtisnin: Hapni derën, jemi Policia Kriminale. Jam shefi i Policisë Kriminale. U ngrit Shkëlqimi dhe pa nga dritarja e kuzhinës. Më kërkojnë mua tha, janë banda e Alfred Shkurtit. Unë u futa në dhomë sërish. Shkëlqimi dhe çuni u hodhën nga dritarja e katit të dytë dhe u larguan. Ulërimat vazhdonin. Dera binte me sa fuqi kishin personat që ishin jashtë. Unë dola sërish dhe kur po afrohesha te dera, ajo ishte shpërthyer. Në shtëpi hynë 4-5 veta. Kam të fiksuar njërin që ishte me rroba laramane, si ushtar i UÇK-së, të cilin e thërrisnin Shvejk. Kur dola jashtë pashë edhe Erion Cicin, të cilin e njoh mirë, pasi ishte shoku i tim biri, Klodit. Kur hodha sytë te muri i shtëpisë pashë një person me armë në dorë që kishte zënë pozicion. Erioni më tha: Servet, futu brenda. Ndërsa një person tjetër, me sytë e zgurdulluar më tha që të shkoja me ta, pasi më donte kryetari i grupit. I thashë se unë nuk lëvizja pa personat e tjerë të familjes. I morën me forcë edhe ata dhe na hipën në një furgon të bardhë, me të cilin udhëtuam vetëm 5 minuta. Na futën në një dhomë te farmacia pranë komisariatit të Lushnjes, dhe në dhomë u gjendëm përballë me një burrë të shkurtër, me flokët e rëna dhe me dorën e lidhur. Më pyeti për Shkëlqimin. Më tha: Ku e ke tët shoq? I thashë se përse e donin atë, ta linin të qetë. Ai m’u përgjigj: Më vranë vëllanë tim, nuk dua t’ia di për njeri tjetër. Aty kuptova se kush ishte ky person. Ishte Alfred Shkurti. U mundova t’i jepja të njohur, duke i thënë se i njihja babanë dhe nënën, Valin. Por, as që donte t’ia dinte. Na morën në pyetje një nga një në dhomë. Pastaj na nxorën nga dhoma dhe u takuam të gjithë në rrugë. Kur u afruam pranë shtëpisë, pamë që i ishte vënë zjarri. Ishte djegur e tëra. U strehuam te disa njerëzit tanë dhe më pas takova edhe Çimin. I tregova se çfarë na kishte ngjarë dhe për çfarë na kishin pyetur. I thashë se takova Alfred Shkurtin dhe më pyeti për të”. Ky ka qenë rrëfimi i dhënë nga Servetja në janar të vitit 2006, ndërkohë që pas vrasjes së të birit, sipas të shoqit, ka pësuar traumë dhe kurohet jashtë shtetit.

Vëllezërit e Artur Dajës: Vëllanë tonë e vrau Alfred Shkurti

Në mungesë të tre vëllezërve, Alfred, Lorenc e Stiliano Daja, prokurori Gentian Trenova lexoi dje deklarimet e dhëna prej tyre para oficerëve të Policisë Gjyqësore. Lorenc Daja bëri të ditur se kur është marrë në pyetje më 29 qershor të vitit 2006, vëllain e tij e kishte vrarë Alfred Shkurti. Sipas Lorenc Dajës, me Alfred Shkurtin siç njihet ndryshe Aldo Bare, kishte pasur njohje të vjetra që në fabrikën e tullave. Lorenci mësohet ta kishte prezantuar Baren me vëllain e tij, Turin. Sipas tij, ditën që i sulmoi në një lokal banda e Bares, me vete ka pasur edhe vajzën e tij vetëm 1 vjeçe. “Turi kishte me vete një automatik “Kallashnikov”, ndërsa të tjerët që ishin në tavolinë nuk kishin. Atë ditë mbaj mend që në rrugën kryesore po vinte një automjet tip “Audi” ngadalë. Pasi u afrua edhe 10 metra, makina ndaloi dhe qëlloi me breshëri drejt lokalit”, - ka deklaruar dëshmitari dy vjet më parë, kur është marrë në pyetje nga oficerët e Policisë Gjyqësore. Sipas tij, pas sulmit, ai kishte marrë vajzën dhe ishte shtrirë në tokë, veprim i cili ishte bërë edhe nga të tjerët. Më pas, Loreci i ishte drejtuar të vëllait: “Po na vrasin, o Turi po më vrasin gocën”, ndërsa ai i kishte thënë që të pushonte. Më pas mësohet se Tur Daja kishte nxjerrë automatikun dhe më pas kishte qëlluar drejt makinës. Dëshmitari në dëshminë rrëfen se kishte parë edhe Gramoz Selmanin në makinën tip “Audi”. Pas këtij sulmi, sipas dëshmisë së dhënë nga ana e Lorenc Dajës, vëllai i tij, Artur Daja, ishte plagosur, ndërsa në automjet kishin mbetur të vrarë dy persona. Vëllai tjetër i Artur Dajës, Stialiano Daja, kishte sqaruar oficerët e Policisë Gjyqësore se Alfred Shkurti ka dashur t’i vriste të gjithë si familje. Në dëshminë e tij, dhënë po dy vite më parë, përkatësisht në vitin 2006, ai ka bërë të ditur se në muajin korrik të vitit 1997, kishte qenë në lokalin e një kushëririt të tij, kur nga një makinë ishte ulur Ramadan Shkurti, i cili kishte nxjerrë tytën e automatikut dhe kishte dashur ta qëllonte. Më pas dëshmitari është shprehur se ishte larguar për në banesën e tij dhe ishte strehuar te fqinji i tij me emrin Fredi. “Fredi më ka pyetur pse isha i trembur dhe pasi ia kam shpjeguar ka dalë në ballkon, kur Ramadan Shkurti ka qëlluar me breshëri”, - ka deklaruar dëshmitari. Në dëshminë e tij, ai ka bërë me dije se pasi ishin futur brenda të shtënat kishin vazhduar, kur kishte dalë më pas jashtë kishte parë derën e pasme të makinës në të cilën ishte Ramadan Shkurti, i cili ishte i vrarë. Ndërsa në fund të dëshmisë së tij, Daja bënte me dije se 20 minuta përpara se të vritej vëllai i tij, Turi, Enver Boriçi ishte larguar me makinë. I treti nga vëllezërit që ka dhënë shpjegime para gjykatës ka qenë Alfred Daja. Në dëshminë e tij ai shpjegonte se kishte qenë në Itali kur e ka marrë në telefon Alfred Shkurti. Në ato momente në banesë ndodhej edhe i vëllai, Turi. Gjatë bisedës telefonike të zhvilluar mes Tur Dajës dhe Alfred Shkurtit, dëshmitari ka dëgjuar për vrasjen e Besnik Tahirit. “Fredi i tha Turit se e kishte vrarë Besnik Tahirin për vete dhe jo për interesat e tij”, - ka mbyllur deklarimet e tij Daja.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›