Ekstradohet 47-vjeçari i dënuar për vrasje
Një 47-vjeçar i dënuar për vrasje është ekstraduar dje nga Italia. Interpol-Tirana solli nga vendi fqinj Françesk Lalën, i dënuar me 15 vjet heqje lirie, pasi së bashku me vëllanë e tij, Xhovalin Lala, kanë vrarë me armë zjarri në grindje e sipër dy shtetas, Mikel Nodkën dhe Xhovalin Llyci. Ngjarja për të cilën akuzohen dy vëllezërit ndodhi më 7 maj 1993, në fshatin Jubë të rrethit të Durrësit, kur ai, në bashkëpunim me vëllain e tij, kanë vrarë me armë zjarri dy shtetasit banues në të njëjtin fshat. Lala ishte arrestuar nga forcat e policisë italiane për llogari të drejtësisë shqiptare dhe mbahej në dhomat e paraburgimit në policinë e Milanos. Gjykata e Shkallës së Parë në Durrës dhe ajo e Apelit e kishin dënuar Lalën me 25 vjet heqje lirie për vrasjen e ndodhur më 31 prill 1994. Ky vendim pas rekursit në Gjykatën e Lartë u reduktua në 15 vjet heqje lirie.