Shtyrja e pagesës së taksave me firmën e ministrit
Ministri i Financave do të ketë të drejtë të shtyjë pa afat pagesën e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar për kompanitë që gjenden në fazën e investimit dhe që importojnë makineri e pajisje. Qeveria propozoi dje një ndryshim në Ligjin për TVSH-në, që i jep ministrit të Financave të drejtë të shtyjë përtej afatit aktual prej 12 muajsh pagesën e TVSH-së për makineritë e pajisjet e importuara.
“Për makineritë dhe pajisjet e importuara nga personat e tatueshëm, në kuptim të këtij ligji, në funksion të veprimtarisë së tyre ekonomike, pavarësisht llojit të saj, zbatohet skema e shtyrjes së pagesës së TVSH-së deri në 12 muaj. Për rastet kur cikli i zhvillimit të investimeve dhe fillimit të ofrimit të prodhimit ose të shërbimit është më i gjatë se 12 muaj, ministri i Financave ka autoritetin ta zgjasë afatin e shtyrjes së pagesës së TVSH-së, në varësi të ciklit të zhvillimit të investimit të parashikuar në marrëveshje apo kontratë. Sipas kësaj skeme, TVSH-ja nuk paguhet në doganë, në çastin e importit”,- thotë ndryshimi i ri ligjor mbi Tatimin mbi Vlerën e Shtuar.
Qeveria e sotme pati kritikuar skemën e mospagesës së TVSH-së në çastin e zhdoganimit për makineri e pajisje, si një skemë të mbushur me evazion fiskal. Ata përjashtuan nga pagesa e detyruar e TVSH-së në çastin e importit vetëm Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare. Skema u rikthye në funksionim vitin e kaluar, fillimisht duke lejuar shtyrjen e pagesës së TVSH-së me 6 muaj, më pas me 12 muaj, ndërsa tani, me firmë të ministrit të Financave, kompanitë mund të përfitojnë praktikisht shtyrje pa mbarim të pagesës së kësaj takse.
Si funksionon
Që prej një dekade, biznesi ka kërkuar vazhdimisht heqjen e TVSH-së për mallrat e importuara si makineri e pajisje dhe që sillen nga kompanitë për të krijuar kapacitete të reja prodhuese ose të zgjeruar kapacitetet ekzistuese. Skema e shtyrjes së pagesës së TVSh-së është veçanërisht e vlefshme në rastet kompanive të huaja që ndërtojnë rrugë, të cilat importojnë sasi të konsiderueshme makinerish përkohësisht dhe i rieksportojnë ato në përfundim të punimeve.
Qeveritë e ndryshme disa herë i kanë përjashtuar nga taksat këtë kategori importesh dhe disa herë të tjera, jo. Skema aktuale i detyron ta paguajnë TVSH-së, por mund të kërkojnë ta shlyejnë detyrimin deri në një vit pas datës së importeve, duke paraqitur garanci bankare për këtë qëllim. Ndryshimi i fundit i propozuar nga qeveria, përpiqet të trajtojë rastet e “proceseve të investimeve që zgjasin mbi një vit”. Disa kompani të mëdha pritet të përfitojnë shuma të konsiderueshme nga skema e re.