E Diel, 1 Nëntor 2026

Aldo Bare bojkoton procesin gjyqësor: Nuk jam mirë me shëndet

TIRANë- Aldo Bare i akuzuar nga Prokuroria si kapo i Bandës së Lushnjes, refuzon të paraqitet në Gjykatën e Krimeve të rënda me argumentin se ndodhet në gjendje jo të mirë shëndetësore dhe se nuk është lejuar nga autoritetet e burgjeve për tu takuar me avokatin e tij mbrojtës Vladimir Meci. Në deklaratën e të akuzuarit ishte vënë shënimi nga mjeku i burgut, i cili vërtetonte se Bare ka probleme shëndetësore, por ka mundësi për tu paraqitur në gjyq. Ndaj duke i cilësuar si të pabazuara në ligj pretendimet e të pandehurit, gjykata vendosi të shpallë mungesën dhe të vazhdojë seancën. Në vazhdim prokurorët kërkuan të rrëzohen kërkesat e kapobandës me pavlefshmërinë e akteve të dosjes me argumentimin se të gjitha veprimet hetimore janë kryer brenda afateve ligjore, ndryshe nga sa ka pretenduar pala mbrojtëse. Gjykata do të shprehet me vendim me seancën e datës 10 shkurt. Ndaj tij rëndojnë akuzat për dhjetra vrasje, rrëmbim personi, shkatërrim prone, dhunim varresh, etj. Ai u ekstradua në nëntor të vitit të kaluar nga Turqia, ku ishte arrestuar që prej tre vitesh, pas një urdhër- arresti të lëshuar ndaj tij nga autoritetet e drejtësisë shqiptare.(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›