Niset kontigjenti i 2-të me mision paqeruajtës në Afganistan
TIRANE- Niset kontigjenti i 2-të me mision paqeruajtës në Afganistan. Ceremonia e përcjelljes së kontigjentit për në Herat të Afganistanit është zhvilluar sot në regjimentin Komando, ku të pranishëm kanë qënë zv. ministri i Mbrojtjes Ekrem Spahiu, zv Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të forcave të armatosura kundëradmiral Kristaq Gervenji, Komandanti i Shtabit të NATO-s në Tiranë dhe ushtarakë të tjerë. Në këtë mision do të marrin pjesë 110 trupa në përbërje të të cilit do të jenë 12 oficerë 44 nën oficerë dhe 54 ushtarë profesionistë. Detyrat që do të kryejë ky kontigjent do të jenë ruajtja dhe sigurimi i kampit përmes shërbimit në vend-roje dhe patrullimit me automjete, shërbim pranë komandës së Forcës, ruajtja e depove të armatimit, sigurimi i bazës logjistike si dhe sigurim dhe shoqërim i personelit. Ky kontigjent do të vazhdojë të përmbush këtë mision në kuadër të misionit Isaf të NATO-s nën drejtimin e komandës italiane. Deri më sot regjimenti Komando ka kontribuar me 2021 trupa në misionet paqeruajtëse kudo në botë.(m.a/News24/BalkanWeb)