E Diel, 1 Nëntor 2026

Ku shkojne plehrat

Xhemal Mato është nga ata shqiptarë që e respekton vendin e tij. E në karrierën si gazetar e ekologjist ka bërë maksimumin për të sensibilizuar njerëzit për ta respektuar gjithashtu vendin e tokën. Para shumë vitesh një kameraman i TVSH-së më tregonte tërë qesëndi: “Xhemali është i çmendur, ndalon makinën rrugës për të mbledhur plehrat që hedhin njerëzit”. Nuk e di në ishte legjendë e sajuar nga kameramani apo e vërtetë, por ajo që ai tha nuk më bëri fare për të qeshur: Edhe unë mendoj si Xhemal Mato e po të kishte më shumë shqiptarë që mendojnë si ai, nuk do të ndodheshim në këtë pushtim total plehrash që sot dhunojnë tokën e Shqipërisë.Pashë në News24 nismën e fundit që ka ndërmarrë për të sensibilizuar qytetarët për plehrat dhe riciklimin e tyre, por dhe këtu më kapi një trishtim. Xhemal Mato është sërish vetëm. Edhe në këtë punë sensibilizimi të tij për të mos hedhur plehrat ndihmohet nga të huaj zemërgjërë,Ambasada Hollandeze e UNICEF. Institucionet shqiptare nuk ekzistojnë. Pseudoelita intelektuale, gjashtë vite më parë, bëri rolin që bën ekomafia në Itali: bllokoi ndërtimin transparent dhe ligjor të përpunimit dhe riciklimit të plehrave me teknologji. Dhe absurdi: psudointelektualët u shitën si ekologjistë dhe ajo pjesë që kërkonte përpunimin ligjor të plehrave, u shit në publik si mafioze. Sot e gjashtë vjet më pas asnjë nismë ligjore, asnjë teknologji transparente dhe kompetente nuk është propozuar nga privatë apo institucione për të sistemuar e përpunuar plehrat. E në këto gjashtë vite Shqipëria plehra ka prodhuar. Ku kanë shkuar? Pas gjashtë vite heshtje, denoncime sporadike fshatarësh e qytetarësh për erëra e sëmundje, studimesh për rritje të numrit të të sëmurëve me alergji e kancer, duhet reaguar. Në Itali, për të përballuar problemin e plehrave, sidomos në Jugun e mbërthyer nga ekomafia, u desh impenjimi total i shtetit dhe i politikave të tij. Në Napoli, prej dhjetëra vitesh i mbajtur peng i ekomafias, janë ngritur termovalorizatorët e parë për përpunimin ligjor e transparent. Problemet vazhdojnë, por gazetarë, shoqëria civile vigjëlojnë siç e kanë për detyrë të bëjnë. Tek ne lufton Xhemal Mato, i ndihmuar nga ambasada Hollandeze e Unicef. Shteti shqiptare nuk ekziston dhe aty ku mungon shteti, struktura paralele bëjnë qejf.(BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›