Aldo Bare kërkon pushimin e gjykimit nga gjykata
Aldo Bare i kërkon gjykatës pushimin e çështjes në ngarkim të tij, duke shpallur si të pavlefshme aktet dhe pushim të tyre, për shkak se kishin përfunduar afatet hetimore në kohën kur i është komunikuar akuza dhe është bërë dërgimi i kërkesës në gjykatë. Madje, gjatë seancës, përmes avokatit të tij, Meçi, i pandehuri përdori si precedent një vendim të formës së prerë të Kolegjit Penal në Gjykatën e Lartë për shtetasin Andi Toma, i akuzuar për abuzime me tenderat në rrugën Durrës-Kukës. Dhe pikërisht, në momentin kur avokati ishte duke përdorur gurin e fundit për lirimin e klientit të tij, i pandehuri shfaqi probleme shëndetësore duke kërkuar daljen nga salla për të rihyrë disa momente më vonë. Pasi ka rihyrë në sallën e gjyqit, i pyetur nga gjykata nëse mund të qëndronte gjatë zhvillimit të seancës, i pandehuri ka kërkuar leje për t’u larguar dhe zhvillimin e gjyqit në mungesë të tij pasi nuk ndihej mirë. Më tej seanca vijoi sërish në mungesë të Bares, ku avokati ka renditur njëri pas tjetrit argumentet pse klienti i tij duhej të lirohej dhe të pushohej gjykimi ndaj tij prej gjykatës. Avokati u shpreh se procesi ndaj “Bandës së Lushnjës” është copëzuar sikur të ishte një formulë matematike, ndërkohë që klienti i tij, Aldo Bare, është gjykuar një herë, pavarësisht se prokuroria në procesin e mëparshëm i ka tërhequr një herë akuzat ndaj tij. “Që t’i jepni një zgjidhje të drejtë procesit, do të thotë që të evidentoni se si hetimi dhe procedimi penal ndaj të mbrojturit dhe përfaqësuarit prej meje s’është tjetër, veçse fryt i devijimit të hetimeve, i shtrembërimit të provave, i marrjes së tyre në rrugë të kundërligjshme”, - iu drejtua togave të zeza, të kryesuara nga gjyqtarja Fatmira Hajdari, avokati i kapobandës së Lushnjës.
Kërkesat
Avokati Vladimir Meçi renditi një nga një kërkesat e tij paraprake që kanë të bëjnë, sipas tij, me pavlefshmërinë e akteve të procedimit penal në ngarkim të Aldo Bares (Alfred Shkurti). Sipas Meçit, procedimi në ngarkim të Bares duhet të pushohet, pasi aktet procedurale të përpiluara nga organi i akuzës në këtë procedim janë absolutisht të pavlefshme. Avokati argumentoi në kërkesën drejtuar gjykatës se Bare është hetuar edhe më parë për akuzat që janë ngritur ndaj tij, pasi Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Lushnjë kishte regjistruar procedimin penal nr. 238 të datës 11.10.1999, procedim i cili më pas u transferua në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Elbasan, e cila më datë 09.11.2000 e dërgoi çështjen në ngarkim të të pandehurit Bare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Elbasan. Pra, sipas avokatit Meçi, nga fillimi i procedimit, deri në përfundim të hetimeve paraprake kemi një afat të konsumuar prej 1 viti e një muaji. “Si datë të rifillimit të procedimit penal, por kësaj radhe me numër të ndryshuar 15, ndaj Aldo Bares, Prokuroria për Krime të Rënda Tiranë merr datën 31.01.2006 dhe ky procedim penal ka zgjatur deri në datën 01.07.2007, pra plot 1 vit e 5 muaj. Por, meqenëse procedimi penal nr. 15 i vitit 2006 nuk është një procedim i ri, por në të vërtetë është një procedim vazhdim i procedimit penal nr. 238, atëherë afati total i hetimeve është 2 vjet e 6 muaj. Pra, në total afati i hetimeve për Aldo Baren e ka kaluar afatin maksimal të hetimeve, i cili është dy vjet”, - deklaroi avokati, duke shtuar se “ky afat maksimal i hetimeve parashikohet në nenin 324/2 të Kodit të Procedurës Penale, i cili përcakton se kohëzgjatja e hetimeve paraprake nuk mund të kalojë 2 vjet. Të gjitha veprimet procedurale të kryera pas afatit 2-vjeçar janë absolutisht të pavlefshme në kuptim të nenit 128/1/b të Kodit të Procedurës Penale”.
Neni 128/1/b
Aktet procedurale janë absolutisht të pavlefshme kur nuk respektohen dispozitat që lidhen me:
b) të drejtën e prokurorit për ushtrimin e ndjekjes penale dhe pjesëmarrjen e tij në procedim.
Avokati
Precedent, vendimi i Gjykatës së Lartë për Tomën
Për të argumentuar pse duhej pushuar gjykimi për të pandehurin Aldo Bare, avokati i tij ka risjellë para gjykatës një vendim të formës së prerë të Gjykatës së Lartë, duke e përdorur si precedent që duhet marrë në konsideratë. “Po përmend disa shkelje, të cilat automatikisht sjellin edhe pavlefshmërinë e procedimit dhe për pasojë edhe pushimin e gjykimit të çështjes. Si akte procedurale, të cilat janë përpiluar jashtë afatit hetimor mund të përmendim vendimin për njoftimin e akuzës, vendimin për dërgimin e çështjes në gjyq, kërkesa për gjykim etj. Një qëndrim të tillë ka mbajtur edhe Gjykata e Lartë, kur me vendimin nr. 5, datë 10.04.2009, ka vendosur pushimin e çështjes ndaj Andi Tomës etj. “Mbështetur në arsyetimin e mësipërm, kërkojmë nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, që të konstatojë pavlefshmërinë absolute të akteve të sipërpërmendura dhe të vendosë më pas edhe pushimin e gjykimit të çështjes”, - ka vijuar pretendimet e tij avokati. Më pas, ka vijuar me konstatimin e një shkeljeje të dytë, duke u shprehur se “një shkelje tjetër e rëndë procedurale që sjell automatikisht edhe pushimin e gjykimit të çështjes është edhe momenti kur Bare është marrë si i pandehur. Me vendimin datë 11.06.2007, prokurorët e çështjes, Ardian Braho dhe Gentian Trenova, kanë vendosur të marrin si të pandehur Baren për akuzat, për të cilat ai po gjykohet tashmë përpara Gjykatës për Krime të Rënda Tiranë. Në fund të këtij vendimi, nga ana e prokurorëve është disponuar njoftimi me këtë vendim të të pandehurit dhe mbrojtësit”. Më tej, avokati argumenton para togave të zeza se “ky disponim i organit të akuzës është në përputhje me nenin 34 të Kodit të Procedurës Penale, por megjithëse akuza ka disponuar në mënyrë të tillë, përsëri ky vendim nuk i është komunikuar dhe as nuk i është njoftuar Aldo Bares. Sjellim në vëmendje të Gjykatës se klienti im mbahej i paraburgosur në Turqi për efekt të këtij procedimi, prej datës 25.03.2006, fakt ky që rezulton nga praktika e ekstradimit për Baren. Pra, vendndodhja e klientit tim ishte e njohur dhe organi procedues kishte detyrimin ligjor që t’ia njoftonte atij akuzën. Aldo Bare, megjithëse nuk ka qenë në Shqipëri gjatë periudhës që është hetuar, përsëri vendndodhja e tij e saktë dihej nga autoritetet shtetërore dhe nga organet e procedimit, pasi ai mbahej i paraburgosur pikërisht për llogari të autoriteteve shqiptare”. Avokati ka sjellë para gjykatës edhe një akt procedural të përpiluar nga dy prokurorët e çështjes, ku thuhet se “në lidhje me këtë person nën hetim, është e nevojshme të zgjatet afati hetimor për një periudhë dymujore, me qëllim komunikimin e akuzave, pyetjen me cilësinë e të pandehurit, njohjen me aktet e procedimit penal në ngarkim të tij etj”. Ky akt, sipas avokatit Meçi, është absolutisht i pavlefshëm në kuptim të nenit 128/1/c të K.Pr.Penale, i cili parashikon thirrjen e të pandehurit ose praninë e mbrojtësit kur ajo është e detyrueshme. Ndaj dhe, sipas avokatit, edhe veprimet e mëpasshme procedurale që janë kryer dhe aktet që janë përpiluar nga organi procedues siç janë vendimi për dërgimin e çështjes në gjyq, kërkesa për gjykim etj., janë absolutisht të pavlefshme për shkak se varen nga një akt absolutisht i pavlefshëm në kuptim të nenit 131/1 të K.Pr.Penale, i cili parashikon se “pavlefshmëria e një akti i bën të pavlefshme aktet e mëpasshme që varen nga ai që është deklaruar i pavlefshëm”. Për rrjedhojë, sipas avokatit, edhe procedimi në ngarkim të Bares është i pavlefshëm dhe duhet të pushohet. “Një qëndrim të tillë ka mbajtur edhe Gjykata e Lartë kur me vendimin nr. 5, datë 10.04.2009, ka vendosur pushimin e çështjes ndaj Andi Tomës etj.”, - u shpreh avokati. Mbështetur ne arsyetimin e mësipërm, avokati kërkoi nga Gjykata e Shkallës se Parë për Krime të Rënda Tiranë që të konstatojë pavlefshmërinë absolute të akteve të mësipërme dhe të vendosë më pas edhe pushimin e gjykimit të çështjes.
Avokati: Akuzat ndaj Bares janë gjykuar ose parashkruar
Avokati i të pandehurit Bare deklaroi para gjykatës se pavlefshmëria absolute e këtij procedimi rrjedh edhe nga fakti se procedimi për akuzat e ngritura ndaj klientit të tij nuk duhet të kishte filluar, pasi këto akuza ose janë gjë e gjykuar ose janë parashkruar. “Konkretisht Bare akuzohet edhe për veprën penale të “krijimit të organizatës kriminale” dhe të “shkatërrimit të pronës me zjarr”. I bëjmë me dije gjykatës dhe njëkohësisht prokurorëve se me vendimin nr. 289, datë 21.12.2001, Gjykata e Apelit Durrës e ka shpallur të pafajshëm Aldo Baren për veprën penale të “krijimit dhe pjesëmarrjes në bandë të armatosur”, vendim ky i lënë në fuqi dhe nga Gjykata e Lartë Tiranë”, - deklaroi para gjykatës avokati Meçi. Ndërsa, për sa i përket veprës penale të “shkatërrimit të pronës me zjarr”, avokati u shpreh se neni 151/1 i Kodit Penal parashikon dënimin deri në 5 vjet për këtë vepër penale. Meqenëse vepra penale ka ndodhur në vitin 1998 dhe në momentin kur ka ndodhur është klasifikuar nga organi procedues sipas nenit 151/1 të Kodit Penal, sipas avokatit, për rrjedhojë ky organ nuk mund të rifillonte hetime për këtë vepër penale në vitin 2006. “Përpjekja e organit procedues për të klasifikuar këtë vepër sipas nenit 151/2 të Kodit Penal, është jo vetëm e gabuar, por edhe antiligjore”, - u shpreh avokati. Sipas tij, nuk mund të bëhet rikualifikim i veprës penale në vitin 2006, pasi organi procedues nuk mund të kryente asnjë veprim hetimor pas afatit 5-vjeçar, pra pas vitit 2003 nuk mund të kryhej asnjë veprim hetimor. Ndërkohë që, sipas avokatit Meçi, Aldo Bare është marrë si i pandehur në datën 11.06.2007.