Kapiteni i RTK’së

Express: Ke menduar se do të zgjidhesh drejtor?
Sylejman Shaqiri: Po. Në momentin që kam aplikuar, e kam parë veten si kandidat i mundshëm, bazuar në ofertën time.
Express: Çfarë oferte?
Sylejman Shaqiri: Jam unë, me tërë karrierën time profesionale në gazetari. Ka qenë identiteti im që kam krijuar si gazetar në vite dhe dekada. Profili im medial që kam ndërtuar. Nuk kam asnjë shkronjë ose fjalë nga viti 1982, e deri më sot, që e kam thënë, për të cilën do të turpërohesha.
Express: Tash RTK-së, më shumë i duhet historia e drejtorit apo vizioni i tij?
Sylejman Shaqiri: Në gazetari, e sidomos në media elektronike, e kaluara mund të rrënohet për një çast, për një sekondë. Sigurisht, është vizioni ajo që duhet të ketë drejtori i RTK-së, sidomos në rrethanat në të cilat është ky medium.
Express: Cilin problem do ta ndreqni së pari?
Sylejman Shaqiri: Puna e parë që jam duke e bërë, është përgatitja dhe publikimi i konkursit për zv.drejtor të përgjithshëm të RTK-së, drejtor të televizionit dhe të radiove. Nga viti 2002-2003, RTK-ja nuk ka shpallur konkurs për pozitë menaxhuese. Nga 2006 ne funksionojmë me ushtrues detyre. I tillë ka qenë vetë Bordi i kaluar i RTK-së, ish-drejtori i përgjithshëm, kurse zv.drejtor ka kohë që nuk kemi. Mendoj se kjo është detyra e parë urgjente që duhet të kryhet. Atë që e kam shkruar edhe në mini-projekt të synimeve zhvillimore, duhet të bëjmë gjithçka që t’i joshim njerëzit për këto konkurse. Këto janë tri konkurset e para. Do të ketë konkurse për kryeredaktorë dhe redaktorë përgjegjës. Duhet të joshim njerëz cilësorë, profesionistë, nga jashtë RTK-së dhe të shfrytëzojmë potencialin nga brenda.
Express: Besoni se ka njerëz nga jashtë që duan të konkurrojnë kur dihen grupimet dhe përplasjet brenda RTK-së?
Sylejman Shaqiri: RTK-ja është një projekt shumë serioz, i madh. Përkundër problemeve dhe vështirësive, RTK-ja duhet të jetë rrëfim i suksesshëm i Kosovës së pasluftës dhe shtetit të Kosovës. Unë besoj te shumica e punëtorëve të RTK-së. Janë të gatshëm të jenë vetvetja dhe të sajojnë program që të jetë vërtet në shërbim të qytetarëve.
Express: Në RTK ka grupe dhe gjysma e kolegëve nuk flasin me njëri-tjetrin. Çka do të bëni me këta njerëz?
Sylejman Shaqiri: Nuk është që nuk flasin, por kur flasin këtë e bëjnë me tensione. E para është që nuk do ta inkurajoj në asnjë çast apo situatë, asnjë prej të punësuarve të ketë përkatësi klanore apo grupore.
Express: Çka do të bëni?
Sylejman Shaqiri: Njerëzit që kanë prirje për t’u pozicionuar në grup apo klan, gjithmonë i afrohen menaxherit. Mua nuk më janë afruar asnjëherë. Nuk më janë afruar, sepse e kanë kuptuar dhe e dinë se nuk iu shitet.
Express: Por ata jashtë, qoftë edhe grupimet politike, a guxojnë t’ju afrohen?
Sylejman Shaqiri: Besoj se jo. Deri tash jo dhe tash e tutje nuk e pres një gjë të tillë. Është e natyrshme që njerëzit e fuqishëm të bëjnë presion ndaj mediumit publik, të provojnë të kenë ndikim në politikën redaktuese. Por është njerëzore që ne nga brenda t’i kundërshtojmë. Nëse ne nga brenda nuk i thërrasim, ata nuk do të vijnë. Nëse ne i refuzojmë, ata do të largohen. Kontaktet e gazetarëve me njerëz të politikës janë pjesë e punës, natyrisht, ato kontakte duhet të kultivohen, të ruhen, por jo të keqpërdoren. Mua më intereson ajo që del në program të televizionit, ajo që dëgjohet nga dy radiot, e ajo që del në sajtin tone. Aty duhet të ketë informacion të balancuar qartë dhe të drejtë.
Express: A keni plan, pas sa kohësh do ta shohim RTK-në ndryshe?
Sylejman Shaqiri: Në aspektin kohor, nuk do ta përkufizoja. Besoj se emërimi im në këtë post sjell atmosferë relaksuese në ato raporte të tendosura. Sjell orientim të qartë në profesionalizëm. Pres përkrahje dhe ndihmë të madhe nga Bordi i RTK-së, i cili me përkushtim e ka marrë punën e vet që ta luajë rolin që ka, sipas ligjit.
Pres të ndërtojmë raporte të shëndosha mbi baza kushtetuese me Kuvendin e Kosovës, i cili është themelues i RTK-së. Raportet me Qeverinë do të jenë profesionale. Pres të riparojmë raportet e dëmtuara me Komisionin e Pavarur për Media (KPM). Ata të luajnë rolin e tyre, e ne të bëjmë punën tonë.
Express: Kryetari i Bordit, z. Paçarizi, ka thënë se RTK-ja është duke operuar me humbje. KEK-u ka hequr taksën 3.5 euro nga faturat e veta. Reklamat u janë përgjysmuar. Kuvendi është burokraci në vete. Si do t’ia bëni?
Sylejman Shaqiri: Sot kur publikohet ky shkrim, Kuvendi i Republikës e ka kërkesën e RTK-së për financim të përkohshëm. Është një intervenim i domosdoshëm, por i padëshirueshëm, sepse ne nuk e duam paranë buxhetore. Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për heqjen e taksës 3.5 euro nga faturat e KEK-ut, kjo është e domosdoshme. Tash ka ardhur edhe vendimi i KPM-së për regjimin e marketingut dhe nga 1 tetori, RTK-ja nuk e mbledh taksën nga qytetarët. Kemi shkurtime drastike në marketing. Infuzioni i përkohshëm nga Kuvendi i Kosovës na mundëson që së bashku me institucionet përkatëse të punojmë mbi Ligjin e televizionit. Ligji do ta shpëtojë definitivisht RTK-në, do t’i sigurojë qëndrueshmëri afatgjatë financiare, duhet të sigurojë parapagim nga qytetarët, të jetë në shkallën më të lartë i pakontestueshëm nga ta. Secila taksë është e papëlqyeshme nga qytetarët, por natyrisht krejt kjo të përcillet me ofertën programore të televizionit dhe radiove që janë në shërbim të tyre.
Express: Gjithë këto shkurtime nga financat, por a do të ketë shkurtime në staf?
Sylejman Shaqiri: Jo. Nuk do të lejojmë shkurtime në staf, apo program. Asgjë nuk do të zvogëlohet, përkundrazi, synimet tona janë ta ngrisim cilësinë e programit.
Express: Është përshtypja se këtu ka tepricë punëtorësh, e shumë prej tyre nuk bëjnë thuajse asgjë?
Sylejman Shaqiri: Njëri prej premtimeve të mia që kam bërë para Bordit në intervistë, ka qenë zbatimi i rregulloreve që kemi në RTK. Do ta instaloj institucionin e shpërblimit dhe dënimit për të gjithë këtu. Kemi rregullore shumë të mirë që asnjëherë nuk është zbatuar. Kjo do të zbatohet. Ai që punon, do të shpërblehet, ai që nuk punon, do të dënohet…
Express: Por nuk do të largohet?
Sylejman Shaqiri: Edhe do të largohet, varësisht nga pesha e shkeljes së detyrave që bën. Nëse janë shkelje të rënda, sipas rregullores, kur parashikohet largimi, shkëputja e kontratës, atëherë pse jo.
Express: Mendoni se do ta çoni deri në fund mandatin tuaj, apo diku nga mesi do të jepni dorëheqje?
Sylejman Shaqiri: Do të punoj sikur të jem shumë i sigurt që do ta përmbush mandatin. Përndryshe, dorëheqja për mua nuk është e panjohur. E kam bërë një herë nga pozita e kryeredaktorit për shkak të përgjegjësisë objektive. Nuk e përjetoj rëndë dorëheqjen, qoftë për shkaqe personale, kur unë të jem bindur se nuk e kam përmbushur, apo për shkak të përgjegjësisë objektive. Do ta publikoj në momentin kur unë e vlerësoj se nuk jam në gjendje ta kryej detyrën.