E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aldo Bare, nga tuneli në gjykatë për masën e sigurisë

Aldo Bare është përballuar për herë të parë me drejtësinë shqiptare, në lidhje me 20 akuzat që rëndojnë ndaj tij. Rreth orës 12:00 të ditës së djeshme, kreu i Bandës së Lushnjës është përcjellë në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Shoqërimi i tij, nga ambientet e Burgut 313 drejt gjykatës është realizuar nën masa të larta sigurie. Për të është përdorur tuneli që lidh gjykatën me burgun. Para gjyqtarit të gatshëm, Klodian Kurushi, Bare nuk ka pranuar të flasë, ndërsa togat e zeza i kanë caktuar një avokat të shtetit, pasi ende numri një i bandës famëkeqe të Myzeqesë nuk kishte marrë një mbrojtës ligjor.

Seanca 15 minutëshe
Gjyqtari Kurushi i ka marrë të dhënat personale kreut të Bandës së Lushnjës. Është pyetur për identitetin, emrin, mbiemrin, emrin e babait, të nënës, si dhe datëlindjen. Më pas është pyetur rreth të dhënave të tjera që ndihmojnë organet e drejtësisë të kenë një kontakt me personin e akuzuar. Bare u është përgjigjur me seriozitet të plotë të gjitha pyetjeve për sa i përket gjeneraliteteve. Pas gjyqtarit Kurushi dhe të pandehurit Alfred Shkurti, (Aldo Bare) fjalën e mori prokurori Gentian Trenvoa për të lexuar akuzën. Ai ka lexuar me radhë akuzat që rëndojnë mbi Baren, të cilat janë tani për tani 20, që nga vrasje, marrje peng e personit, dhunime varresh etj. Të gjitha në kuadër të organizatës kriminale që drejtohej nga vetë ai. Gjatë komunikimit të akuzave, Bare ka qëndruar i rrethuar nga dy agjentë të forcave speciale të maskuar dhe të armatosur "deri në dhëmbë", ndërsa vetë ai është mbajtur në kafazin e hekurt. E gjithë seanca gjyqësore ka zgjatur vetëm 15 minuta. Kjo është përballja e parë me drejtësinë e kapos së Bandës së Lushnjës. Më pas, duke përshkuar të njëjtin itinerar, nga tuneli që lidh gjykatën me burgun, Bare është transportuar në qeli, ku aktualisht qëndron i vetëm.

Gjyqi ndaj Bares
Prokuroria ka gati aktakuzën ndaj Aldo Bares. Tre vjet më parë, organi i akuzës dërgoi në gjykatë të gjithë Bandën e Lushnjës. Gjykata ndau procesin, pasi dy të pandehurit kryesorë, Aldo Bare dhe Enver Dondollaku ishin në mungesë. Ndaj tyre filloi një tjetër proces, i cili u nda sërish, pasi Dondollaku kërkoi gjykim të shkurtuar. Seanca për gjyqin ndaj Bares ishte caktuar para disa javësh, por mosnjoftimi, solli edhe dështimin, gjykata e shtyu procesin me tre muaj dhe si shkak u bë moszbatimi i letër-porosisë nga Ministria e Drejtësisë për të njoftuar të pandehurin që ndodhej i arrestuar në Ankara, rreth nisjes së procesit gjyqësor. Aldo Bare do të pyetej nëse është dakord që të gjykohet në mungesë, si dhe nëse dëshiron që të ketë mbrojtës apo jo. Duket se procedurat për njoftimin e të pandehurit, pas ekstradimit të tij, janë thjeshtuar. Korrieri i Gjykatës së Krimeve të Rënda e ka shumë të lehtë të njoftojë të pandehurin, pasi i duhet të përshkojë vetëm 150 metra rrugë për të mbërritur në gjykatë.

S.Çobo

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›