E Diel, 1 Nëntor 2026

Urdhri i Berishës: Deputetët e PD-së, skemë sulmi ndaj Ramës

Deputetët demokratë nisin të zbatojnë skemën e Kryeministrit Berisha për "të luftuar" opozitën. Këmbënguljes së Partisë Socialiste me idenë e hapjes së kutive të votimit, Partia Demokratike i përgjigjet me sulm personal jo ndaj Partisë Socialiste, por kryesisht ndaj kreut të saj, Edi Rama, dhe disa prej mbështetësve të tij. Deputetët demokratë në "bllok" kanë nisur akuzat personale ndaj kryesocialistit Rama menjëherë pas urdhrit të Kryeministrit Berisha në mbledhjen e grupit të PD-së, në fillimjavë. Beteja anti-Rama nisi më 23 nëntor me një deklaratë të nënkryetarit të PD-së, Astrit Patozi, dhe u përshkallëzua një ditë më pas nga kreu i PD-së së Tiranës, Aldo Bumçi, i cili me një grup deputetësh demokratë të Qarkut Tiranë renditën një sërë akuzash ndaj kryetarit të Partisë Socialiste. Në adresë të liderit të PS-së, Edi Rama, akuzat erdhën në seri nga një grup deputetësh, si Edi Paloka, Mesila Doda, Sokol Olldashi dhe Lulzim Basha. Të kursyer në akuza ndaj një pjese të grupit socialist, demokratët kanë "shpërthyer" me agresivitet dhe me doza të larta kritike ndaj Edi Ramës, Gramoz Ruçit, Ilir Gjonit dhe Ditmir Bushatit. Kryeministri e quajti në grupin e PD-së si kompleks personal qëndrimin e Ramës dhe eksponentëve të Partisë Socialiste që sulmojnë familjen e tij. Në shenjë "hakmarrjeje", Kryeministri Berisha urdhëroi "ushtrinë" e tij prej 67 deputetësh t‘i hidhen në sulm personal kryetarit të PS-së. "Do t‘u shkulim një nga një dhëmbët dhe pastaj do fillojmë me dhëmballët", u shpreh Kryeministri Berisha pas takimit me deputetët demokratë në selinë e PD-së. Një ditë më parë, në mbledhjen e grupit, Kryeministri kërkoi që grupi i tij parlamentar të ndjekë të njëjtën valë akuzash ndaj kryesocialistit Rama. Demokratët i servirin njeriut më të pushtetshëm në Partinë Socialiste një lumë akuzash, duke u fokusuar tek e kaluara e tij. Grupi parlamentar i PD-së ka përcaktuar grafikun e "betejës" politike në vazhdën e akuzave që do të lëshojnë në adresë të Edi Ramës dhe familjes së tij. Deputeti Bumçi në deklaratën e vet e quan Ramën kamikaz që do të shkatërrojë vendin, ndërsa Edi Paloka nuk i referohet vetëm Ramës, por të gjithë atyre që e mbështesin atë dhe vijnë nga një e kaluar e lidhur me komunizmin. "Do u rezervojmë të njëjtin fat, në mos më keq, këlyshëve të bllokut, nëse ju shkon ndërmend të përmbysin demokracinë e të kërkojnë të vijnë në pushtet me dhunë", është shprehur Paloka. "Grupi parlamentar i PD e fton zotin Rama që këtë ultimatum t‘ia nisë Enverit, Spiros apo Kiços, si familja e tij historike dhe biologjike. Ne i themi kryetarit të Partisë Socialiste se me dhunë dhe me ultimatume ke vetëm një rrugë: të firmosësh fundin e turpshëm dhe të pashmangshëm politik", deklaroi Patozi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›