Montobio: Rekomandimet e BE-së mbeten në letër
Ambasadori i Spanjës në Shqipëri, Manuel Montobio, vendi i së cilit merr në janar presidencën e radhës së Bashkimit Europian, ka thumbuar fort qeverinë, gjatë një fjale që ka mbajtur dje për integrimin europian të vendit tonë. Duke iu referuar progres-raporteve të Komisionit Europian, ambasadori Montobio deklaroi se rekomandimet që jepen në këto dokumente nuk duhet të mbeten në letër, por të zbatohen në praktikë. "Çdo vit ka progres-raporte, të cilët japin rekomandimet përkatëse, por ato nuk duhet të mbeten vetëm në letër. Të gjithë aktorët përkatës duhet t‘i bëjnë realitet këto kërkesa. Në lidhje me perceptimin e shqiptarëve për në BE, ku pjesa më e madhe mendon se vetëm pas hyrjes së Shqipërisë në Bashkimin Europian niveli i demokracisë dhe i shtetit të së drejtës do të rritet më shumë, kryediplomati i Madridit në Tiranë theksoi se "gjeografikisht Shqipëria është në Europë, mirëpo BE nuk është një grupim gjeografik, por politik, që funksionon në bazë të parimeve dhe vlerave të përbashkëta. Ju duhet të hynë në Bashkimin Europian si europianë, pra që i jetësoni parimet e Europës së bashkuar. Dhe padyshim për të hyrë në BE duhen standarde të caktuara të nivelit të demokracisë dhe shtetit të së drejtës. Dje është prezantuar një studim i përgatitur me opinione të qytetarëve nga Instituti Shqiptar për Studime Ndërkombëtare. Në këtë sondazh theksohet se, ndryshe nga viti 2008, kur mbështetja e shqiptarëve për procesin e anëtarësimit në BE shkonte në mbi 95%, në mesin e vitit 2009, kur sapo kishim aplikuar për statusin e vendit kandidat, kur ende nuk ishin mbajtur zgjedhjet parlamentare dhe kur perspektiva për liberalizimin e vizave ishte më e paqartë, te shqiptarët kjo mbështetje për procesin e integrimit ka pësuar rënie. Qytetarët janë pyetur në periudhën maj-qershor për mbështetjen ndaj integrimit dhe aspektet e tjera që e afrojnë vendin tonë me Unionin. Por lidhja kryesore që shqiptarët i bëjnë përfshirjes në Europë është liberalizimi i vizave. Kjo e ka shtyrë ambasadorin spanjoll në Tiranë, Manuel Montobio, në interpretimin se kur vendi ynë të përfitojë nga ky proces, shqiptarët do ta mbështesin edhe më pak anëtarësimin në BE. Për kreun e Komisionit parlamentar të Integrimit, Aldo Bumçi, kjo është më se e logjikshme. Në aspekte të tjera, raporti flet për një progres të lehtë dhe aspak entuziast të Shqipërisë në 6 vitet e fundit, kjo sidomos në sektorin e biznesit, që është një tregues realist për të kuptuar procesin integrues në tregun europian. Raporti rekomandon se qeveria duhet të ndërmarrë reforma të thella për integrimin në BE, duhet të forcojë standardet demokratike, të krijojë një administratë publike të qëndrueshme, të krijojë një sistem gjyqësor efikas dhe një strukturë të qëndrueshme në ekonomi. Sa i përket situatës aktuale politike dhe bojkotit të opozitës në Parlament, raporti thekson se dialogu politik është i nevojshëm për miratimin e reformave me shumicë të cilësuar, si dhe për të shmangur uljen drastike të besimit të popullit te klasa politike për shkak të klimës së tensionuar.