E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: Janë simptomat e një krize politike

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka deklaruar dje se vendi po shfaq simptomat e një krize politike, ndaj ka përsëritur sërish apelin e tij për të inkurajuar dialogun politik. Duke folur në emisionin "Opinion", kreu i shtetit shqiptar e ka përsëritur tre herë fjalën "inkurajoj", për dialogun mes Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste. Duke iu rikthyer skenës politike, Presidenti Topi theksoi se skena politike është e polarizuar nga dy forca të mëdha, që kanë ndryshuar konfigurimin në Parlament dhe kjo situatë është mjaft e ndërvarur nga vullneti i këtyre forcave. Në lidhje me mundësinë e një negocimi të mundshëm për të ulur në tryezë Ramën dhe Berishën, Presidenti Topi theksoi se ata e kanë gjetur më shumë se njëherë gjuhën e përbashkët vetë, por ritheksoi gatishmërinë për të kontribuar për zgjidhjen e situatës. Pyetjes nëse ka apo jo krizë politike, kreu i shtetit shqiptar iu përgjigj se "ka një përkeqësim të klimës të dialogut, ka simptoma krize. Preferoj të rikuperohet shpejt. Duhet të shkojmë me organizim të shëndoshë në rrugën e integrimit". Ndërkaq, në lidhje me qëndrimin për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit, Presidenti i Republikës deklaroi se ai merrte si pikë reference vendimin e KQZ-së, vendimin e gjykatave dhe raportimin e vëzhguesve ndërkombëtarë. Topi tha se kreu i shtetit nuk mund të interferojë tani në KQZ, pasi ai është institucion i zgjedhur në bazë partiake. Gjithashtu, Presidenti theksoi se do të respektonte vendimet e gjykatave, ndërkohë që shtoi se raporti i misionit të OSBE-ODIHR-it ishte kompleks, pasi theksonte edhe arritje, edhe probleme. Presidenti Topi, duke renditur problemet e 28 qershorit, duke perifrazuar raportin e ndërkombëtarëve, tha se "fushata parazgjedhore dhe nxjerrja e rezultatit kishin defekte. Probleme kishte edhe në procesin e numërimit në disa zona të vendit". Në lidhje me debatin për KLD-në, Presidenti theksoi se kjo çështje duhet të zgjidhet, por kreu i shtetit tha se "nuk mund të shprehet Presidenti nëse mund të mblidhet pa ligj Konferenca e Gjyqësorit. Presidenti është garant i Kushtetutës dhe ligjeve".

Y.Pata

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›