Aldo Bumçi: PS të shqyrtojë propozimet e bëra nga shumica

Zgjedhjet e 2011-s, Mazhoranca e gatshme për ndryshimin e kodit elektoral
Partia Demokratike është e gatshme të nisë nga puna, për ndryshimet në kodin zgjedhor, nisur nga afrimi i zgjedhjeve vendore të vitit të ardhshëm. Deputeti demokrat, Aldo Bumçi thekson se opozita duhet të bëhet pjesë e procesit të hartimit të kodit të ri elektoral, duke shqyrtuar edhe propozimin e fundit, atë të votimit elektronik.
Sipas deputetit të mazhorancës, ky sistem i ri duhet të përfshihet në kod në mënyrë që alibia e politizimit të numëruesve të mos vazhdojë dhe për zgjedhjet e ardhshme. Pas lëvizjes së parë të kryeministrit me këtë propozim të djathtë presin opozitën të hedhë hapin e radhës.
“Marrja dhe adoptimi i një sistemi të ri eviton të gjithë problematikën që ne kishim me numërimin e votave. Ky duhet të jetë debati që duhet të mbizotëroje dhe ne presim që PS të bëjë propozimet e saj ose të shqyrtojë më tej këto propozime të bëra nga shumica. Gjithçka bëhet me konsensus për sa i takon kodit zgjedhor”, u shpreh Bumçi.
Ashtu si dhe ekspertët zgjedhorë, Bumçi e sheh të nevojshme amendimin e kodit, brenda një kohe të shkurtër. Kjo për arsye transparence dhe për të plotësuar rekomandimet e ODIHR-it. Megjithatë sipas tij në rast opozita nuk përgjigjet ky kod elektoral mund të përdoret edhe ne 2011-n.
“Kodi ishte i përshtatshëm sepse ne kryem një palë zgjedhje dhe ishin zgjedhjet më të mira të kryera në Shqipëri. Aty ku u hasën probleme ishin probleme me politizimin e procesit të numërimit”, deklaroi deputeti demokrat, Aldo Bumçi.
Duke iu referuar problemeve të mundshme me listat e zgjedhësve sipas Bumçit, edhe në rast vonesash nga bashkia, elektronizimi i regjistrit e bën të pamundur abuzimin.