E Shtunë, 31 Tetor 2026

Flasin ekspertët/Votimi elektronik heq mundësinë e kontestimit

Votimi elektronik mund të konsiderohet pa frikë si shpëtim i proceseve elektorale në Shqipëri. Ky është konstatimi i dhënë nga ish-kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kristaq Kume, i cili sqaron se deklarata e bërë nga kryeministri Berisha për të adaptuar këtë model është një vullnet pozitiv për të realizuar në Shqipëri procese të pakontestueshme nga humbësi.
“është shprehje e një vullneti pozitiv për të realizuar procese zgjedhore të pakontestueshme që t’i garantojnë hapësirat humbësit për të pranuar rezultatin”.
Në argumentin e tij, zoti Kume sqaron dhe mënyrën sesi mund të arrihet drejt këtij modeli, që sipas tij eliminon fletët e votimit, rinumërim apo hapje të kutive zgjedhore, deri tek heqja dorë njëherë e përgjithmonë nga përfaqësia politike nëpër komisionet e numërimit dhe votimit”, u shpreh Kume.
Sipas tij, ky proces ka edhe një anë tjetër, pasi zvogëlon dhe administratën dhe nxjerr si të panevojshëm, përfaqësimin e partive politike nëpër komisione.
“Shqiptarët të votojnë në qendrat e votimit dhe të mos votohet me fletë votimi por të klikohet në ekran. Procesi nuk prodhon fletë votimi të mbyllura në kuti, të hapen dhe rinumërohen, as procesverbale dhe tabela të rezultateve zgjedhore dhe e gjitha çka mbetet si suport informatik, printohet. Gjithashtu zvogëlon dhe administratën dhe nxjerr si të panevojshëm komisionerët politikë në komisione”, tha ish kreu i KQZ-së, Kristaq Kume.
Por ajo që duhet marrë në konsideratë në këtë metodë të re votimi në Shqipëri është ajo, për të cilën politika gjithmonë ka kontestuar fort. Votimi me më shumë se 1 mjet identifikimi. Dhe për këtë Kume ofron një zgjidhje.
“Momenti i dytë që duhet të zgjidhet është identifikimi i zgjedhësve. Lexuesi manjetik do mjaftonte të lexonte kartën. I njëjti person që mendon se mund të votojë 10 herë s’mund ta bëjë më, pasi për këtë nuk duhet hequr boja në gisht”, tha ai.
Ky qëndrim i ish-kryetarit të KQZ-së vjen në një kohë kur numri një i qeverisë, gjatë një takimi të përbashkët me homologun e tij estonez deklaroi se mbetet i hapur për të aplikuar një model elektronik për zgjedhjet në Shqipëri.
Gjatë këtij 10-vjeçarit shumë vende kanë prezantuar një mënyrë të re votimi, atë nëpërmjet internetit. Një mënyrë e tillë votimi përdoret në Britani, Austri, Estoni, Francë, Zvicër, SHBA, Kanada, Japoni, Australi etj. Rasti më i fundit, është ai i Zvicrës, ku vitin e kaluar më shumë se 110 mijë votues që jetonin jashtë vendit patën mundësinë të votonin nëpërmjet internetit, me anë të një projekti pilot, që u prezantua në vitin 2008. Në vitin 2003, më shumë se 60 për qind e votuesve franceze që jetonin në SHBA zgjodhën të votonin nëpërmjet internetit. Në Kanada kjo mënyrë votimi është bërë mjaft e zakontë. Synimi kryesor i kësaj mënyre votimi është targetimi i një numri të caktuar votuesish, sidomos ata që jetojnë jashtë kufijve, personat me aftësi të kufizuar apo të moshuarit. Një nga avantazhet më të mëdha të kësaj mënyre votimi është shpejtësia. Votuesit mund të ndryshojnë votën e tyre disa herë deri në afatin e fundit të vendosur nga autoritetet ose të vendosin të shkojnë në qendrat e votimit ditën e zgjedhjeve duke bërë të pavlefshme kështu votën e hedhur on-line.
Kjo është një mënyrë mjaft e mirë votimi për gjithë ata persona që nuk kanë mundësi të shkojnë në qendrën e votimit ditën e zgjedhjeve. Për nga ana ekonomike, mund të thuhet se me kalimin e kohës kjo mënyrë votimi ul koston e përgjithshme të procesit elektoral. Autoriteteve nuk u duhet të shpenzojnë për ngritjen e qendrave të votimit, stafeve etj. Ndikon gjithashtu në numërimin e shpejtë të votave e për pasojë edhe në dhënien e rezultatit të procesit elektoral.
Por një tjetër avantazh është se duke qenë se bëhet fjalë për një mënyrë të thjeshtë votimi si kjo që shihni në ekran, është se kjo mënyrë sjell një rritje të pjesëmarrjes në zgjedhje. Shumë ekspertë thonë se kjo mënyrë votimi është një revolucion i procesit elektoral.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›