“Shqipëria, superfuqi energjetike, biznesi estonez i mirëpritur për investimet e afërta”
Kryeministri Berisha dhe kryeministri estonez Ansip marrin pjesë në Forumin e Biznesit “Investement in Albania”
Kryeministri Sali Berisha dhe ai estonez Andrus Ansip morën pjesë në Forumin e Biznesit “Investement in Albania”. Bashkë me dy krerët e shteteve mike, ishin të pranishëm edhe përfaqësuesit e delegacionit estonez, anëtarë të kabinetit qeveritar shqiptar, si dhe mjaft biznesmenë nga të dy vendet. Duke hapur punimet e këtij Forumi Biznesi, kryeministri Berisha e cilësoi vizitën e parë zyrtare të një kryeministri nga Estonia në Shqipëri, si një impuls mjaft të fuqishëm për sa i përket marrëdhënieve ekonomike, që priten të zhvillohen me shpejtësi në të ardhmen.
Duke iu drejtuar homologut estonez, si dhe biznesmenëve estonez të pranishëm në këtë forum, kryeministri Berisha shprehu bindjen e tij të thellë, se investimet estoneze në Shqipëri, do të kenë një sukses të padiskutueshëm.
“Unë ju ftoj të shikoni dhe konsideroni, sepse është bindja ime e thellë që përpjekjet tuaja do të shpërblehen dhe do të jenë një histori e vërtetë suksesi. Unë ju ftoj të investoni në këtë vend, i cili është i vogël, por ka një potencial shumë të madh. Potencialet më të mëdha që vendi ju ofron janë: energjia, turizmi, prodhimi e minierat”.
Lidhur me prioritetet e qeverisë shqiptare për sa i përket investimit dhe zhvillimit të energjetikës në vend, duke e kthyer Shqipërinë në një superfuqi energjetike në rajon, kryeministri Berisha i siguroi të pranishmit se kjo është një ndër fushat më të favorshme, ku biznesmenët estonezë mund të investojnë.
“Pozita gjeografike e Shqipërisë, burimet natyrore shumë të mëdha të Shqipërisë në fushën e energjisë, e bëjnë këtë vend një nga vendet më të mira për të investuar në fushën e energjisë”, u shpreh kryeministri Berisha.
Kreu i qeverisë gjatë fjalës së tij, e renditi turizmin në Shqipëri, si një tjetër fushë, mjaft të sigurt, të qëndrueshme dhe me një të ardhme premtuese për investitorët e huaj. “Turizmi, bregdeti i Shqipërisë me një gjatësi rreth 400 kilometra, është bregdeti më i paprekur, më i mirë, me tipare të kombinuara, me rërë në pjesën e Adriatikut dhe me shkëmbinj në pjesën e bregdetit të Jonit, ku ujërat janë të mrekullueshëm. Tregu i turizmit në Shqipëri është më i qëndrueshmi në Evropë. Vitin e kaluar Shqipëria ishte vendi i parë në botë në rritjen e turizmit, jemi rritur me 35 për qind”.
Një tjetër fushë, në të cilin kryeministri Berisha shprehu bindjen e tij, se do të jetë një urë lidhëse për sa i përket marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve, do të jetë edhe informatizimi i shoqërisë dhe përqasja e modelit estonez të teknologjisë së avancuar, për të ecur me shpejtësi drejt objektivit madhor të qeverisë shqiptare “Shqipëria dixhitale”. Ndërsa kryeministri estonez, Andrus Ansip deklaroi se Shqipëria është burim investimi dhe bisnesi i Estonisë do të rrisë edhe më tej prezencën e tij në vendin tonë. Në Forumin e biznesit Shqipëri-Estoni, Ansip theksoi se bashkëpunimi ndërmjet Shqipërisë dhe Estonisë është shumë i lartë, por ai theksoi se mbetet shumë për t’u përmirësuar në sektorin e biznesit. “Shqipëria ka shumë fusha në të cilat mund të investohet. Interesi i investitorëve të Estonisë për vendin tuaj është shumë i lartë. Ashtu si ka ndodhur vitet e shkuara, edhe tani numri i biznesit estonez në vendin tuaj do të rritet”, theksoi ai. Sipas Ansip, mundësitë për investime janë shumë të larta dhe Estonia do të përdorë në mënyrën më të mirë këto mundësi.