E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aleanca Kuq e Zi: Zgjedhjet e reja me qeveri teknike, pa Berishën

Share

Aleanca Kuq e Zi ka reaguar ndaj votimit te së enjtes në Kuvend, duke e quajtur atë një provë force për zgjedhjen e Berishës president. Sipas AK, procesi i votimit për anëtarin e ri të Këshillit të Lartë të Drejtësisë u shndërua në një betejë primitive politike për të pushtuar institucionin e pavarur dhe qeverisjen e gjyqësorit shqiptar.

“Përfshirja personale e kryeministrit Berisha në një procedurë të kontestueshme dhe debati kofliktuale në Kuvend para, gjatë dhe pas votimit si dhe shmangia e procedurave kushtetuese, ishte prova më e mirë se në Shqipëri nuk do garantohen kurrë zgjedhje të lira, të drejta, të fshehta dhe kushtetuese”, thuhet në një reagim të AK-së.

“Demostrimi i forcës dhe praktikave antiligjore është mesazhi më i qartë se me këtë qeverisje nuk mund të ketë zgjedhje dhe respektim të votës, pasi kur kjo gjë nuk garantohet në tempullin e parlamentarizmit, nuk ka asnjë mundësi apo hapësirë që të garantohet në çdo qytet apo fshat larg syve të mediave dhe opinionit publik. Prej tre vitesh Shqipëria hyri në regjistrat e rekordeve negative të Bashkimit Evropian, duke iu refuzuar statusi i vendit kandidat për shkak të mosmarveshjes dhe konfliktit qeveri-opozite. Kjo krizë besimi ka në themel manipulimet e njëpasnjëshme të zgjedhjeve dhe Aleanca Kuq e Zi paralajmëron paralizë të reformës zgjedhore, e cila ndonëse është një nga 12 rekomandimet e Komisionit Evropian, shihet qartazi se do jetë një proces farsë dhe që do të thelloj konfliktin politik në Shqipëri”, vijon deklarata.

“Aleanca Kuq e Zi ka bindjen se vendit i duhet të realizojë zgjedhjet e përgjithshme vetëm me një qeveri teknike dhe pa kryeministrin Berisha.  Skandali i zhvilluar dje është një skenar i përsëritur me qindra herë, por që këtë rradhë i paraprin testimit të forcës së dhunshme jo demokratike për zgjedhjen e presidentit të ri i cili synohet nga kryeministri aktual Sali Berisha i cili kërkon të rizgjidhet për herë të tretë në këtë post”, mbyllet deklarata.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›