Rusi, Harxhi me Titov: Forcojmë bashkëpunimin
MOSKE- Zëvendësministrja e Jashtme shqiptare, Edit Harxhi ka vizituar Moskën me ftesë të homologut të saj rus, Vladimir Titov.
Në një intervistë për agjencinë ruse të lajmeve ITAR-TASS, Harxhi ka theksuar se Shqipëria e sheh bashkëpunimin me Rusinë si jetik në shumë fusha, duke përfshirë sigurinë.
“Ne besojmë se bashkëveprimi i Ballkanit me Rusinë është i rëndësishëm për sigurinë në rajon,” tha ajo.
Megjithatë, prioritet i lartë për politikën e jashtme të Shqipërisë mbetet integrimi evropian dhe Harxhi ka deklaruar se Tirana ka përfunduar tashmë shumicën e kërkesave të nevojshme për statusin e vendit kandidat në BE dhe ka shprehur shpresat për një vlerësim pozitiv në tetor.
Harxhi theksoi problemet e brendshme, si pengesën kryesore për bashkimin me BE, por theksoi se vendi kishte arritur një përmirësim të konsiderueshëm gjatë viteve të fundit.