Kurti letër ministrave të Jashtëm të BE-së
Albin Kurti
Albin Kurti, lideri i Vetëvendosjes dhe kryetar i Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë, u ka dërguar letër 27 ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian lidhur me situatën e krijuar në veri të Kosovës.
Kurti u bën thirrje ministrave të BE-së për të ushtruar ndikimin e tyre, për lirimin e Hasan Abazit, pasi është ndaluar për motive politike.
Sipas liderit të VV-së shpërblimi për Serbinë me statusin e vendit kandidat në BE, pa e detyruar që të ndryshojë qëndrimin apo sjelljen ndaj Kosovës, e ka inkurajuar qeverinë në Beograd në fushatën e saj destruktive dhe kriminale ndaj Kosovës. Në këtë mënyrë, Kurti bën thirrje që ministrat e BE-së të kundërshtojnë këtë padrejtësi. /F.S/
Letra e Kurtit drejtuar ministrave të Jashtëm të BE-së
Po ju shkruaj për tua tërhequr vëmendjen tuaj mbi arrestimet e fundit arbitrare të të z. Hasan Abazi, Kryetar i Sindikatës së Metalistëve, më 28 mars nga autoritetet serbe dhe të disa shqiptarëve të tjerë nga Kosova gjatë ditëve të fundit. Z. Abazi ishte rrugës për në një konferencë në Kroaci, kur ai u ndalua, në bazë të një urdhër arresti të lëshuar në vitin 2005 për gjoja informacion të dhënë NATO-s në vitin 1999.
Një ditë më parë, z. Arben Murseli, një qytetar i Kosovës, u arrestua dhe familja nuk mundi të vë ndonjë kontakt me të për ditë me rradhë, ndërsa pesë ditë më parë, z. Burim Talaku, po ashtu një qytetar i Kosovës, u arrestua në Merdare. Më parë, më 21 mars, z. Shemsi Nuhiu u ekstradua në Serbi, pasi u arrestua në Zvicër, në bazë të një urdhër arresti të lëshuar nga Serbia për krime lufte.
Këto arrestime poshtëruese arritën kulmin të shtunën, me 31 mars, kur dy policë të Kosovës u arrestuan në kufirin në Merdare, në mënyrën më përçmuese, dhe më pas u liruan të hënën, me 2prill.
Ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiç, tha se arrestimet janë bërë në shenjë hakmarrjeje për arrestimin e katër serbëve të martën në mbrëmje. Policia e Kosovës arrestoi katër serbë, të cilët po bartnin materiale elektorale, për zgjedhjet lokale të Serbisë më 6 maj zgjedhje këto që shkelin Kushtetutën e Kosovës dhe pengojnë funksionimin e shtetit.
Është e qartë se motivet janë thjesht politike dhe se arrestimet janë shkelje të rënda të të drejtave të njeriut. Z. Abazi dhe të gjithë personat e tjerë të arrestuar në kufi janë privuar nga liria dhe siguria e tyre, si monedhë kusuritjeje në këtë kontest politik.
Unë ju bëj thirrje për të ushtruar ndikimin tuaj, duke kërkuar urgjentisht lirimin e menjëhershëm dhe të pakushtëzuar të të gjithë shqiptarëve të arrestuar nga Serbia me motive politike gjatë muajit të kaluar, dhe të kërkohet që të gjitha akuzat ndaj tyre të hidhen poshtë, sidomos kur dihet se akuzat nuk përmbajnë asnjë bazë ligjore, dhe, mbi të gjitha, ndalimi arbitrar është i paligjshëm në bazë të Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat Civile dhe Politike, neni 9.
Këtë javë, situata e sigurisë në veri të Kosovës dhe posaçërisht në veri të Mitrovicës është përkeqësuar seriozisht. Të shtunën pasmesnatës, në zonën e Tre Rrokaqiejve, Selver Haradinaj (38 vjeç), u vra në një sulm terrorist me bombë në shtëpinë e tij, e cila gjithashtu plagosi gruan dhe katër fëmijët e tij. Të hënën më 9 prill, një pikë statike e policisë, u shkatërrua nga pjesëtarët e strukturave ilegale të Serbisë.
Pavarësisht nga situata shumë e rëndë, ka pak dëshmi të presionit ndërkombëtar mbi Beogradin për lirimin e të arrestuarve në mënyrë arbitrare. Nuk ka asnjë veprim në Kosovë nga institucionet ndërkombëtare të sigurisë si KFOR-it për të mbrojtur shqiptarët e pambrojtur që jetojnë në veri të Mitrovicës.
Shpërblimi për Serbinë me statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian, pa e detyruar që ajo të ndryshojë qëndrimin e saj apo sjelljen ndaj Kosovës, e ka inkurajuar qeverinë në Beograd në fushatën e saj destruktive dhe kriminale në vendin tonë.
Unë sinqerisht shpresoj se ju do të veproni për të kundërshtuar këtë padrejtësi dhe do të mbështetni bashkatdhetarët tanë në këtë çështje që cenon rëndë të drejtat dhe liritë e qytetarëve tanë.
I juaji sinqerisht,
Albin Kurti
Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme
Deputet i Kuvendit
Republika e Kosovës