Aleanca Kuq e Zi pret me protestë kryediplomatin grek dhe atë italian
Siç është bërë e ditur, sot në Tiranë kanë mbërritur kryediplomatët e Italisë dhe Greqisë, në atë që gjerësisht në media është quajtur si një përpjekje për të zgjidhur krizën politike. Franko Fratini e Stavro Lambrinidis kanë vizituar fillimisht Ministrinë e Jashtme, ku janë pritur me protesta nga të rinj e Aleancës Kuq e Zi. Ata kanë vërshëllyer në momentin kur kryediplomatët kanë hyrë në ministri.
Përfaqësuesit e Aleancës ka deklaruar kanë kërkuar nga qeveria që të bëjë transparente bisedimet me diplomacinë greke ndërsa janë shprehur kundër takimeve me dyer të mbyllura të ministrave.
Sipas tyre, nuk duhet të bëhet kompromis me çështje kombëtare duke shtuar se rruga drejt Bashkimit Europian nuk kalon përmes Athinës por duke përmbushur kriteret e kërkuara.
Ata gjithashtu kanë kritikuar partitë politike duke shtuar se heshtja e tyre është një turp për politikën shqiptare.
Më tej përfaqësuesit e aleancës janë shprehur sërish kundër regjistrimit të popullsisë mbi baza etnie dhe feje duke u bërë thirrje krerëve të politikës të mos shesin kufirin, regjistrimin dhe Çamërinë.