Aleanca Kuq e Zi solidarizohet me minatorët: Atdheu nuk jepet koncesion
Aleanca Kuq e Zi ka reaguar në mbështetje të minatorëve të Bulqizës.
Aleanca Kuq e Zi, ka ndjekur me shqetësim të thellë gjendjen e rënduar të minatorëve të ngujuar në galeritë e minierës së Bulqizës, e cila hyri sot në ditën e 19-të të saj. Duke marrë shkas nga gjendja tejet e rënduar shëndetësore dhe nga mosgjetja e zgjidhjes për plotësimin e kërkesave të tyre, AK i bën apel shtetit shqiptar të mbështesë me cdo kusht minatorët dhe të garantojë plotësimin e të drejtave të tyre.
Minatorët janë qytetarë Kuq e Zi, dhe nuk duhen lejuar me indiferentizëm të humbasin jetën në minierat e koncesionit të zi. Aleanca Kuq e Zi i bën thirrje autoriteteve respektive shtetërore të marrin masat e nevojshme për të hetuar koncesionet e zeza në vend dhe t`i japin fund bizneseve për shitje licencash të tilla koncesionare, që vënë në rrezik jetën e qytetarëve të vet. Atdheu nuk shitet në merkaton e pazareve të koncesioneve të zeza, thuhet në deklaratën e AK.
Pasuritë kombëtare duhet të mbrohen me ligj, dhe të mos lejohet degradimi i tyre sic po ndodh me rastin e kësaj miniere ku është vënë re mungesa totale e kontrollit teknik nga ana e kompanisë menaxhuese. Aleanca Kuq e Zi konstaton se as në kohën e pushtimit, minierat nuk shfrytëzoheshin nga pushtuesit në mënyrë kaq primitive dhe pa investime. Fatkeqësisht edhe 70 vite më parë është investuar më shumë në miniera sesa në vitin 2011. Aleanca Kuq e Zi bën thirrje që të realizohet auditimi i të gjithë pasurive kombëtare që janë dhënë me koncesion dhe të mbrohen si investimet ashtu dhe të drejtat e punonjësve, vijon më tej deklarata.