Aleanca KuqeZi: Berisha po manipulon shifrat e censusit për etninë dhe fenë në favor të Athinës
Sot bëhen gjashtë muaj nga mbyllja e censusit, shqiptarët ende nuk i dinë rezultatet për pyetjet e etnisë dhe fesë
Aleanca KuqeZi, përmes një deklarate për shtyp, kërkoi që kryeministri Sali Berisha të publikojë të dhënat e regjistrimit të popullsisë sa i përket fesë dhe etnisë. Sipas tyre, sot është mbushur gjashtë muaj nga përfundimi i regjistrimit dhe nuk ka të dhëna në këtë drejtim.
Aleanca KuqeZi është përpara opinionit publik për të disatën herë për të denoncuar skandalin me të madh politik dhe ekonomik të qeverisë. Mbushen sot plot 6 muaj nga përfundimi i procesit të regjistrimit të popullsisë, aq shumë të trumbetuar nga qeveria Berisha dhe Genc Pollo si CENSUS, dhe shqiptarët ende nuk kanë parë asnjë shifër zyrtare sa i përket etnisë dhe fesë, thuhet në deklaratën e AK.
Sipas AK, Berisha po manipulon këto të dhëna në favor të Athinës. Aleanca KuqeZi kundërshtoi me forcë dhe në bazë të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë pikërisht këto dy pyetje të censusit sepse NE e dinim që qeveria do ti manipulonte shifrat zyrtare të pakicave etnike dhe të dhënat për komunitetet fetare si rrjedhojë e marrëveshjeve të fshehta dhe direktivave të Athinës zyrtare. Qeveria shqiptare ka dërguar drejt Athinës raportin zyrtar të të dhënave dhe është në pritje të direktivave helene për të ti publikuar të dhënat e deformuara përpara kombit tonë, thuhet në deklaratë.
Aleanca KuqeZi i bën thirrje qeverisë dhe kryeministrit të Shqipërisë dhe jo të shqiptarëve që të publikojë sa më parë të dhënat zyrtare të censusit për etninë dhe fenë në zbatim të ligjit dhe afateve të përcaktuara prej tij për procesin e regjistrimit të popullsisë. Sot pas 6 muajsh Greqia nuk pranon të miratojë të dhënat e censusit për shkak se shqiptarët iu përgjigjën pozitivisht thirrjes se Aleancës KuqeZi për mos plotësimin e kushteve helene, përkatësisht pyetjes për etninë dhe fenë në census, vijon më tej AK.
Sipas kësaj lëvizje, shqiptarët kanë refuzuar këto dy pyetje dhe censusi që kushtoi 14 milion euro ka qenë një dështim.
