Berisha-biznesit: Taksa më të ulëta, Beqja: Po afron 1 prilli

Sali Berisha / Foto LSA
PS ka reaguar në lidhje me deklaratën e kryeministrit Berisha për taksat gjatë takimit me biznesin sot paradite. Përmes një konference shtypi, sekretari për programin në PS, Ilir Beqja, i cilësoi të pavërteta deklaratat dhe premtimet e Berishës për taksa më të ulëta mbi biznesin.
Edhe sot Berisha vazhdoi të mos thotë të vërtetën, pasi po i afrohet festa e tij, 1 prilli, dhe këtë vit e ka filluar me gënjeshtra. Thotë që Shqipëria i ka taksat e ulëta, por organizmat ndërkombëtare tregojnë se Shqipëria është vendi me taksa më të larta, tha Beqja.
Ai theksoi se qeveria e Berishës nuk është aq miqësore sa shprehet me biznesin, pasi u ka kompanive private mbi 100 milionë dollarë të pashlyera për punët publike.
Nëse është dikush që është kundra sipërmarrjes është qeveria, pasi u ka ende kontrata të papaguara sipërmarrjeve për punën publike. Janë 100 mln dollarë të papaguara kompanive. Saliu mburret për prokurimet publike, por biznesi deklaron se në prokurimet online nuk merren vesh pjesëmarrësit dhe ofertat, theksoi më tej Beqja.
Duke u ndalur në programin e PS-së, Beqja shtoi se në të parashikohet që të krijohet më shumë punësim, të ketë taksim të ndershëm e jo të sheshtë dhe heqje referencash që në vitin e parë të ardhjes në pushtet.
Berisha-biznesit: Taksa më të ulëta për të shëruar ekonominë
Gjatë takimit me përfaqësues të biznesit paraditen e sotme, kryeministri Berisha u ka premtuar atyre lehtësimin e procedurave burokratike dhe uljen e taksave.
Në kohën kur nga biznesi, kryesisht ai i vogël kryeqytetas, vijnë ankesa për dyfishimin e taksave, Berisha shprehet se ulja e taksave do të vijojë.
Berisha u shpreh se jetike për ekonominë shqiptare mbetet një paketë reformash, e cila synon ta bëjë ekonominë shqiptare më konkurruese.
Në një hark kohor të shkurtër, bashkë me ju, ne e bëmë ekonominë shqiptare një ekonomi konkuruese, trefishuam eksportet. Bëmë që ky vend në kohërat e vështira të ekonomisë evropiane të rrisë 3 herë investimet e huaja. Bëmë që Shqipëria për disa tregues të ekonomisë të jetë ndër 10 vendet e para të planetit. Sot është jetike një paketë e re reformash, sot është vendimtare një përpjekje e re për të bërë më kompetitive ekonominë shqiptare, tha Berisha.
Duke u ndalur tek taksat, Berisha e cilësoi propozimin e opozitës për taksimin progresiv si një dogmë e cila është faktuar si rrënimtare për ekonominë. Ai i premtoi taksa më të ulëta biznesit, pasi sipas tij, kjo është një mënyrë efektive për të shëruar ekonominë.
Ne jemi vend i përcaktuar për taksën e ulët. Ju garantoj që jo vetëm nuk do të ketë rritje taksash, por do të ketë ulje. Taksat e ulëta janë shumë herë më të dobishme sesa taksat e larta. Bota përjetoi krizën më të thellë pas viteve 30 të shekullit të kaluar spese u gjet me taksa të larta. Studime shumë të besueshme si ato të Oksfordit kanë faktuar se për çdo dollar të ulur nga taksa e të ardhurave personale, 0.54 për qind i shkon punonjësit, me rritje të rrogave dhe përmirësim të vendeve të punës. Ata që mendojnë se mund ta shërojnë ekonominë duke rrënuar të pasurit, mendojnë të rikthejnë ato cikle që u provuan rrënimtare të historinë e njerëzimit. Të varfërit nuk ndihmohen kurrë duke shkatërruar të pasurit. Ne nuk besojmë në dogmën markisite të taksave të larta. Ne do të ruajmë pozicionin e vendit me taksa më të ulëta në botë. Në aspektet tjera do të bëjmë gjithçka tu lehtësojmë ju nga barra burokratike, e cila ju gllabëron energji dhe kohë në mënyrë të pamerituar, tha Berisha. / G.N.