Konsensusi, PD-PS rrisin këshilltarët dhe buxhetin
Grupi i Punës bën gati draftin për ndryshimin e Rregullores së Kuvendit.
Ende nuk ka konsensus për kufizimin e kohës së Kryeministrit dhe dekretet e Presidentit.
Grupi i punës për reformën parlamentare arrin të hartojë një draft për ndryshimin e Rregullores në limitet e afatit të tij. Në mbledhjen djeshme, tri ditë përpara se ti përfundojë afati katërmujor i punës, deputetët Gjana e Gumi nga PD dhe Dokle e Bushati nga PS miratuan një sërë ndryshimesh që do ti paraqiten Parlamentit, por pa u dhënë zgjidhje dy çështjeve më kryesore, kufizimit të kohës së Kryeministrit dhe votimit të fshehtë të dekreteve të Presidentit. Megjithatë, konsensusi mes PD-së dhe PS-së ishte i pranishëm në këtë mbledhje kur u diskutua çështja e rritjes së fondeve për komisionet parlamentare. Konkretisht, Kuvendit do ti propozohet miratimi i një dispozite, e cila parashikon vendosjen e një buxheti të përcaktuar për komisionet e përhershme, buxhet që do të përdoret kryesisht për marrjen e një ekspertize më të mirë në hartimin e ligjeve. Në të njëjtën kohë, katër deputetët ranë dakord ti propozojnë Kuvendit edhe rritjen e numrit të këshilltarëve të dy grupeve më të mëdha parlamentare. Aktualisht grupi i PD-së dhe ai i PS-së kanë nga një këshilltar. Megjithatë, të hënën është parashikuar një tjetër mbledhje e grupit të punës, i cili pritet tu japë dorën e fundit të gjitha këtyre ndryshimeve.
Ndryshimi i Rregullores
Në draftin e siguruar nga gazeta Panorama bie në sy fakti se PS-ja ka hequr dorë nga tri propozime të saj fillestare. Së pari, PS është tërhequr nga kërkesa që 60-minutësh i lirë të kalojë në fillim të seancës; së dyti, ka hequr dorë nga kërkesa që në rastin kur një ministër nuk i përgjigjet deputetit për interpelancë, çështja të shkojë në Gjykatën Kushtetuese; së treti, opozita ka hequr dorë nga kërkesa për të shfuqizuar pikën 5 të nenit 64 të Rregullores, që flet për masat disiplinore ndaj deputetëve kur ata zaptojnë foltoren e Kuvendit. Me miratimin e këtyre ndryshimeve, nënkryetarët e Parlamentit dhe kryetarët e komisioneve parlamentare nuk do të jenë më të ftuar në Konferencën e Kryetarëve, por do të jenë anëtarë me të drejta të plota. Gjithashtu, mbledhja e Konferencës së Kryetarëve do të zhvillohet jo më herët se 24 orë pas njoftimit të saj. PD-ja pranoi propozimin e opozitës që masa disiplinore për deputetët nga 21 ditë të bëhet sërish siç ka qenë 15 ditë. Katër anëtarët e grupit të punës vendosën të riformulojnë edhe një pika të rregullores. Kështu, do të ndryshohet pika 7 e nenit 111, i cili i jepte të drejtë komisionit parlamentar të mos shqyrtonte një kandidaturë në rast se ajo nuk i plotësonte kriteret kushtetuese. Dispozita do të ndryshojë bazuar në parimin që vendimmarrja në përfundim të procesit i përket seancës plenare dhe jo komisionit parlamentar. Në të njëjtën kohë është rënë dakord që në nenin 47, E drejta e fjalës për ministrat, të shtohet një pikë e re, e cila të përcaktojë që për ministrat, gjatë shqyrtimit në parim të projektligjit, koha e prezantimit të tij të jetë e pakufizuar, ndërsa, nëse ata e marrin fjalën përsëri për të njëjtin projektligj, atëherë të mos flasin më shumë se 10 minuta sa herë që e marrin fjalën. Miratimi i të gjitha këtyre ndryshimeve do të varet nga konsensusi që do të japin Kryeministri Sali Berisha dhe kreu i opozitës, Edi Rama, lidhur me dy çështjet e debatuara që në fillimet e punës së këtij grupi dhe që janë kufizimi i kohës së kreut të Ekzekutivit dhe votimi i mbyllur i dekreteve të Presidentit.
Përfundimi i afatit
Data 31 mars do të shënojë fundin e afatit të punës së grupit të përbërë nga katër deputetë për ndryshimin e Rregullores së Parlamentit dhe statusit të deputetit. Megjithatë, pritet që kryetarët e dy grupeve parlamentare, Astrit Patozi i PD-së dhe Gramoz Ruçi i PS-së, të arrijnë konsensusin për zgjatjen e këtij afati edhe për të paktën një muaj tjetër.
Vendimet e grupit të punës
- Përfaqësuesit e PS në grupin e punës hoqën dorë nga propozimi për ndryshimin e nenit 45 të Rregullores në lidhje me vendosjen e 60-minutëshit në fillim të seancës plenare.
- Përfaqësuesit e PS në grupin e punës hoqën dorë nga propozimi për shtesën e nenit 97/1 në Rregulloren e Kuvendit, që lidhet me dërgimin e çështjes në Gjykatë Kushtetuese në rast se anëtari i Këshillit të Ministrave nuk i përgjigjet kërkesës për interpelancë, në afatin e kërkuar nga neni 80 i Kushtetutës.
- Në nenin 64, pika 5, që lidhet me propozimin për heqjen e masës disiplinore të tërheqjes së vëmendjes dhe vërejtjes në rast se deputeti zapton foltoren, u ra dakord të mos shfuqizohet.
- Në nenin 12, në përbërjen e Konferencës së Kryetarëve, të shtohen edhe zëvendëskryetarët e Kuvendit dhe kryetarët e komisioneve të përhershme parlamentare.
- Në po këtë nen, pika 3 ndryshon: Si rregull, mbledhjet e Konferencës së Kryetarëve mbahen jo më herët se 24 orë nga data e njoftimit për mbajtjen e mbledhjes.
- Në nenin 26, në fjalinë e fundit, fjala kryetarëve të zëvendësohet me anëtarëve të Konferencës së Kryetarëve.
- Në nenin 36 u ra dakord që pas pikës 1 të shtohet një pikë 1/1, e cila të trajtojë vetëm seancat dëgjimore për shqyrtimin e projektligjeve në komisione.
- Në nenin 63 dhe 65 u ra dakord që masa disiplinore e përjashtimit nga punimet e Kuvendit të jetë deri në 15 ditë.
- Në nenin 94, i cili flet për përgjigjet me shkrim të pyetjeve u ra dakord që në fund të pikës 1 të shtohet fjalia: Kërkesa e deputetit brenda 2 ditëve i përcillet institucionit përkatës.
Pikat që do të riformulohen
- Në nenin 111, pika 7 të mos shfuqizohet, por të riformulohet bazuar në parimin që vendimmarrja në përfundim të procesit i përket seancës plenare, dhe jo komisionit parlamentar.
- Në nenin 47 të shtohet një pikë e re, e cila të përcaktojë që për ministrat, gjatë shqyrtimit në parim të projektligjit, koha e prezantimit të tij të jetë e pakufizuar, ndërsa, nëse ata e marrin fjalën përsëri për të njëjtin projektligj, atëherë të mos flasin më shumë se 10 minuta sa herë që e marrin fjalën.
Nuk u ra dakord
- Kthimi te votimi i fshehtë për dekretet e Presidentit për dhënien e pëlqimit për anëtarët e Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese.
- Propozimi i opozitës për një amendim sipas të cilit sa herë që Kryeministri merr fjalën në seancë plenare nuk ka kufizim për kohën, por menjëherë pas tij ti jepet fjala për çdo rast kryetarit të grupit parlamentar të opozitës.
Rezoluta për raportin e AKEP
PS, Shalsi e Felaj votojnë kundër vendimit të Grupit
Nënkryetari i Grupit të PS-së, Eduard Shalsi dhe deputetja Ermonela Felaj kanë votuar dje kundër vendimit politik të socialistëve, për të miratuar rezolutën e punës së Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare për vitin 2011. Rezoluta e AKEP-it u miratua dje me 105 vota pro, 1 kundër dhe 1 votë abstenim të deputetes Felaj. Ligjvënësit kanë miratuar dje me 105 vota pro projektligjin Për shërbimin përmbarimor gjyqësor privat. Kjo nismë mundëson që shërbimi i përmbarimit të ofrohet edhe nga përmbaruesit që punojnë aktualisht në shtet. Ky projektligj u kundërshtua nga nënkryetari i Grupit të PS-së, Sajmir Tahiri, i cili deklaroi se qeveria është një nga penguesit kryesorë të zbatimit të vendimeve të Gjyqësorit. Tahiri pohoi se, në total, në vend janë rreth 16900 vendime gjyqësore që nuk gjejnë zbatim, çka është një barrë mbi supet e qytetarëve që kanë fituar drejtësinë. Rezulton se janë, në rastin më të pakët, 16900 vendime të paekzekutuara, ndërsa më e shumta, rreth 34 mijë vendime që nuk ekzekutohen. Qeveria premtoi se do t