Aleanca KuqeZi: Topalli smund të bëhet presidente, ka 10 vjet që jeton më shumë jashtë se në Shqipëri
Aleanca KuqeZi kritikon vizitat e shpeshta të Topallit jashtë vendit dhe i kujton asaj se është në pushtet prej 15 vitesh, pasi ka qenë 8 vite nënkryetare e Kuvendit. Sipas AK, Topalli merr edhe familjarë në vizitat e saj ekzotike
Aleanca KuqeZi ka reaguar pas vizitës së fundit të kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, në Japoni.
Brenda një kohë të shkurtër spikerja e parlamentit ka udhëtuar me dhjetëra herë jashtë Shqipërisë duke shpenzuar me qindra mijëra euro për një funksion që kryhet dhe duhet të kryhet nga ministri i jashtëm.
Aleanca KuqeZi e mirëkupton dëshirën dhe pasionin e kryetares së Kuvendit për të udhëtuar në përtej kufijve, por njëkohësisht ka detyrimin ti bëjë me dijë mbarë qytetarëve shqiptarë se të gjithë udhëtimet e spikeres së parlamentit paguhen nga buxheti i shtetit, pra, me taksat e qytetarëve shqiptarë, thuhet në deklaratën e AK.
Më tej theksohet me ironi se Topalli kështu nuk mund të bëhet presidente pasi ka 10 vjet që nuk jeton në Shqipëri.
Aleanca KuqeZi i kërkon spikeres së parlamentit që të lejojë ministrin e jashtëm të kryej detyrën e tij në përmbushje të misionit diplomatik i cili është mbivendosur nga aspirata e znj.Topalli për të qenë ministre e jashtme. Por sipas gjasave, spikerja e parlamentit aspiron edhe për postin e kreut të shtetit shqiptarë. Aleanca Kuqezi i kujton zonjës Jozefina Topalli së një nga kushtet për tu zgjedhure President i Republikës është që minimalisht kandidatet duhet të kenë jetuar të paktën 10 vitet e fundit në territorin e Republikës së Shqipërisë. Zonja Topalli gjatë dy viteve të fundit ka qëndruar më shumë në ajër se në tokë.
Sipas AK, Topalli merr në udhëtimet e saj edhe familjarë.
Aleanca KuqeZi i kërkon zonjës Topalli që të mos kapërcejë kompetencat e saj që lidhen me spikerimin e seancave plenare dhe të mundohet të kursejë paratë e taksapaguesve shqiptarë, ekonomia e të cilëve jo vetëm që është në krizë por ajo shumë shpejt do të krahasohet me krizat e vendeve të rajonit. Nga të dhëna jo zyrtare mësohet së në çdo udhëtim të saj zonja Topalli shoqërohet nga një delegacion i përbërë nga jo më pak se 7 persona, brenda të cilit në të shumtën e rasteve përfshihen edhe familjarë dhe të afërm të zonjës Topalli. Aleanca KuqeZi kundërshton gjithashtu me forcë shpenzimet e spikeres së parlamentit e cila është e vetmja që shoqërohet me dhjetëra policë e roje, të cilët paguhen nga taksa-paguesit shqiptarë dhe makinat e të cilëve shpenzojnë karburant pa kriter.
Sipas AK, Topalli ka 15 vjet në pushtet. Aleanca KuqeZi i kujton mbarë opinionit publik së zonja Topalli qëndron në karrigen e pushtetit prej 15 vitesh, ku si fillim ajo ka qenë nënkryetare e parlamentit për 8 vjet dhe, prej 7 vitesh, qëndron dhe shfrytëzon me forcë dhe pa kriter karrigen e kryetares se parlamentit. Aleanca KuqeZi i premton mbarë opinionit publik së kufizimi i mandateve, si nismë e kuqezinjve është e vetmja zgjidhje për të rifreskuar klasën politike shqiptare e cila është kthyer në veglën personale të pushtetarëve të sotëm, një prej të cilëve është edhe zonja Topalli.