E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama për skandalin e interkonjeksionit: Flamuri kombëtar u ul në gjysëmshtizë, u ngrit flamuri i korrupsionit

Share

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, doli në një konferencë për shtyp për të mbajtur sërish qëndrim në lidhje me skandalin e interkonjeksionit. Rama tha se fituesi i tenderit po ndryshohet qëllimisht nga badigardi i Berishës, që është vendosur në krye të OST pa asnjë kriter veç fanatizmit në zbatimin e urdhrave të Berishës.

Rama tha se nuk ka asnjë njeri që beson se Berisha është i pastër qelibar dhe banka e madhe gjermane KFW mafioze.

Berisha akuzoi si zëdhënës të mafies bankën e madhe KFW, që përfaqëson interesat e Gjermanisë, gazetën Zëri që ka publikuar fakte bazuar mbi dokumente dhe natyrisht opozitën që ka ngritur zërin për cenim të interesit kombëtar të Shqipërisë dhe Kosovës. Tek mafia ai fut edhe partnerin në koalicion, që ka mbajtur qëndrim kundër kryeministrit. Sot nuk ka shqiptar që beson se KFW niset nga interesa korruptive, ndërsa Saliu është si qelibari që lufton me mafian, në përpjekjen për të ndryshuar rezultatin e tenderit me badigardin e tij, tha Rama

Kryetari i PS sërish theksoi se ky është një tender ku fituesi bazohet kryesisht tek vlerësimi teknik i ofertës.

Vetëm javë më parë zotëria la nam duke përcaktuar si fitues të konkursit për parlamentin fantazëm ofertën më të lartë, në kundërshtim të hapur me vetë ministrin e tij të Financave, tha Rama.

Duke parë nga afër të gjithë dokumentacionin, të shpon hundën era e keqe e historisë, ndërsa flamuri kombëtar po ulet në gjysëmshtizë dhe po ngrihet flamuri i korrupsionit, vijoi kreu i PS.

Në mbyllje, Rama citoi një thënie të një hetuesi italian se Përrallat më të bukura kundër mafias i thonë ata të kapur nga mafia.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›