SKANDALI/ Firma boshnjake që do të fitojë tenderin e interkonjeksionit është e Damir Fazlliç
Sa herë i cenohen interesat Damir Fazlliçit, kryeministri Sali Berisha del në mbrëmje në konferencë për shtyp dhe shan e pështyn mbi këdo. Kështu ndodhi kur prokuroria tentoi ta hetonte për pastrim parash, njësoj ndodhi edhe dje.
Siç shkruan kryeredaktori i gazetës Zëri, Astrit Gashi, pas firmës Energoinvest qëndron Damir Fazlliç. Përtej luftërave politike e të biznesit, e kemi të qartë deri në asnjë pikë dyshimi se zvarritja e këtij projekti, qoftë edhe për një ditë, një javë apo muaj, përfitojnë miliona mafiozët ballkanas, Hamoviçët e EFT dhe Fazlliçët e Energoinvest dhe Rudnapit, shkruan ai.
Është kjo arsyeja pse Berisha sulmoi ashpër donatorin gjerman, bankën shtetërore gjermane për zhvillim, KFW.
Kryeministri mendon se çdo tender në këtë vend do e marrë familja e tij, e cila mjafton të ketë një licencë të Tom Kolës dhe mund të bëjë çdo punë. Kështu ka ndodhur me dhjetëra rrugë e projekte, që janë marrë nga kompani pa asnjë makineri e eksperiencë dhe që janë zvarritur aq shumë, duke na kushtuar më shumë se projekti fillestar. Futen në tender, bëjnë një ofertë të ulët dhe pastaj në kushtojnë disa herë më shtrenjtë. Madje vetë banka KFW i ka kujtuar Berishës në një letër se bëhet fjalë për një tender ku fiton oferta teknike. Ata i kujtojnë Berishës se kompania e parë, ajo kroate, ka superioritet teknik. I kujtojnë po ashtu se duhet performancë e shkëlqyer teknike për të mos shtyrë projektin, çka do kushtonte më shumë se oferta që bëjnë Fazlliçët.
Sipas rregullave tona, është detyra e KFW që të sigurojë që fondet të përdoren në mënyrë sa më ekonomike dhe eficente që të jetë e mundur, ndaj kjo na shqetëson ne po aq shumë sa edhe juve. Megjithatë, një analizë e thellë e rezultateve na tregon se vlerësimi është kryer në mënyrë korrekte, në përputhje me dokumentet e tenderit. Për më tepër, ne kemi vëzhguar një superioritet teknik të ofertës së parë. Eksperienca e jonë e gjatë në mbarë botën me projekte të këtij lloji tregon se duhet një performancë e shkëlqyer teknike për të realizuar projektin, në mënyrë që të mos ketë vonesa dhe të mos tejkalohen kostot. Duke e krahasuar ofertën financiare të kompanisë së shpallur si e para, ne themi se ajo edhe pse është më e lartë se e dyta, sërish është një shumë normale. Për të gjitha këto arsye ne i kemi dhënë OK këtij vlerësimi, pavarësisht shqetësimit sa i përket diferencës në çmim, i kujton banka gjermane Berishës.
Si këmbim mori një lumë sharjesh e akuzash për korrupsion.
Dhe si gjithmonë këto afera të rrezikshme ia realizon ndonjë ish- truprojë apo ish- SHIK-as i tij.