Ndalimi i gjyqtarëve, PDIU: Hakmarrje e ulët e Greqisë

Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet ka reaguar sot në lidhje me kthimin në kufi nga autoritetet greje të gjyqtarëve të cilët dhanë vendimin për kreun e OMONIA-s në Korçë Naum Disho. Në një deklaratët për shtyp PDIU-ja e cilëson kthimin e tyre një hakmarrje të ulët ndaj zyrtarëve të drejtësisë shqiptare që në mënyrë të ligjshme dënuan shkelësin e ligjit.
“Ky veprim i ulët është një përshkallëzim i sjelljes aspak dinjitoze të deritanishme të autoriteteve kufitare greke ndaj shtetasve shqiptarë që kanë lindur në trojet autoktone shqiptare të Çamërisë flet për një axhendë të qartë shoviniste qe po përvijohet në nivele shtetërore greke që vë në pikëpyetje jo vetëm fqinjësinë e mirë në rajon por edhe nivelin e modernitetit të këtij shteti. A mos vallë edhe kësaj radhe bëhej fjalë për një rast të ngjashëm me mos-njohjen e toponimeve tona çame prej shtetit grek dhe kërkohet që në dokumentat e zyrtarëve tanë të shkruhet "dhikastis" dhe " isangjeleas" në vend të gjykatësit dhe prokurorit?” thekson PDIU-ja
Gjithashtu PDIU kërkon nga ministria jonë e jashtme që të kërkojë sqarime për aktin më të fundit të pahijshëm ndaj përfaqësuesve të institucioneve tona të drejtësisë ndërsa kërkon edhe ekstradimin e Dishos në Shqipëri.
“Ne bëjmë thirrje që i arratisuri Disho të ekstradohet për tu ballafaquar me dënimin e ligjshëm që ka marrë përndryshe do të bëjmë presion që shteti shqiptar të rishikojë marrëdhëniet bilaterale në fushën e rendit, drejtësisë dhe sigurisë me Greqinë duke iu përmbajtur kryekëput parimit të reciprocitetit. Ne jemi të bindur që në këtë aspekt është Greqia ajo që humbet dhe po ashtu skemi fije dyshimi që nëse ky shtet vijon me këtë sjellje arrogante, ai ka për të humbur respektin dhe influencën jo vetëm mes trojeve shqiptare por në mbarë rajonin” përfundon PDIU-ja.