Berisha flet pas një muaji për zjarret: Shumë prej tyre janë vendosur nga militantë të thekur të PS-së
Kryeministri Berisha është kujtuar pas më shumë se një muaji kur kanë rënë zjarret në vend, të flasë për to në mbledhjen e qeverisë. Sipas Berishës, kjo ka qenë një nga verat më të nxehta në gjitha Europën dhe për këtë arsye kanë rënë zjarret.
Kjo verë ka qenë nga më të ngrohtat në shumë dekada. Në memorien e spanjollëve kjo është vera më e nxehtë e 70 viteve të fundit. E vërteta është se kjo verë ka qenë nga më të thatat dhe të ngrohtat. Ajo është shoqëruar me zjarret ndër më të mëdha. Vetëm një vend ka pasur 11 mijë zjarre. Zjarret në Shqipëri gjatë këtyre muajve tepër të thatë, kanë rënë rreth 370. Mbi 1500 punonjës të forcave të ushtrisë, 800 punonjës të shërbimit pyjor dhe po aq të zjarrfikës, kanë luftuar me zjarret, në kushtet më heroike. Flakët nga zjarret kanë dëmtuar mbi 1 mijë hektarë pyje, sipas të dhënave të Ministrisë së Mjedisit. Janë djegur 600 hektarë shkurre, tha Berisha.
Sipas tij, qeveria shqiptare ka mundur që të shmangë humbjet e jetëve njerëzore, ndryshe nga shumë vende të tjera, ku sipas Berishës kanë humbur jetën dhjetëra persona. Po ashtu Berisha ka thënë se janë dëmtuar shumë pak shtëpi, ndryshe nga vendet e tjera.
Problemi ynë kryesor në çdo fatkeqësi janë jetët njerëzore. Nuk kemi viktima, ndërkohë që në vende të tjera, të cilat janë shumë më të fuqishme, janë shënuar dhjetëra e dhjetëra viktima. Janë djegur dhe disa banesa, por mund të them se në vendet e Mesdheut numri i banesave të djegura është shumë më i madh. Unë dua tu shpreh falenderime të gjitha qeverive të tjera të NATO-s që na kanë ndihmuar për të kaluar situatën. Qeveria e Malit të Zi, ajo e Turqisë, që na ndihmoi me 2 helikopterë, qeveria italiane, ajo sllovene me një helikopter të njëjtë me atë që do vinte ne Shqipëri, por që pësoi atë që pësoi, tha Berisha.
Sipas tij, pjesa kryesore e zjarreve janë shkaktuar nga zjarrvënës të qëllimshëm. Ai ka akuzuar se një pjesë e zjarrvënësve janë militantë të thekur të PS-së, ndërsa ka akuzuar edhe prokurorinë se liron zjarrvënësit.
Këto vepra janë më së shumti si pasojë e kriminalitetit njerëzor. Piromanë, keqdashës, ziliqarë që djegin pronën e njëri-tjetrit dhe të tjerë. Janë arrestuar rreth 70 persona përgjegjës. Një banor nga Golemi i Gjirokastrës më dërgoi dje një mesazh që na dogjën. E arrestoi policia dhe liroi prokuroria. Krimet e zjarrit janë të rënda dhe ne duhet të shqyrtojmë ligjin. Për fat të keq, ne konsiderojmë si krim të rëndë vetëm atë të organizuar. Është e dhimbshme që opozita në një traditë unike dhe të pashoqe, në çdo lloj fatkeqësie natyrore mendon se do të nxjerrë kapital politik. Në të gjitha deklaratat politike nuk është bërë asnjë thirrje për të denoncuar zjarrvënësit apo për të mbështetur zjarrfikësit. Një eksponent i PS-së i tha ministrit të Brendshëm se kishte rënë zjarr në zonën e tij, por kur ministri i tha se zjarrvënësit janë militant të thekur të PS-së, ai e mbylli menjëherë telefonin, u shpreh ai.
