E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aleanca Kuqezi: PS nën panik, ofron lekë për vota

TIRANE- Aleanca Kuqezi ka vijuar edhe sot denoncimin e asaj që ata e quajnë blerje të votave nga Partia Socialiste. Sipas një deklarate të AK disa struktura të PS i kërkojnë votën anëtarëve të Aleancës Kuqezi në këmbim të parave apo të një vendi pune. 

“Struktura kriminale të atashuara pranë Partisë Socialiste vijojnë me intensitet të lartë telefonimin e anëtarëve dhe drejtuesve të Aleancës Kuq e Zi duke i kërkuar votën për partinë e tyre në këmbim të parave dhe vendeve të punës.Të gjendur përballë këtij fenomeni kriminal anëtarët dhe strukturat drejtuese të AK kanë refuzuar me neveri këto tentative”, thuhet në reagimin e AK. 

Sipas AK, këto veprime tregojnë frikën që ka PS se mos humbasë këto zgjedhje. 

“Nisur nga ky fakt i përsëritur Aleanca Kuq e Zi, apelon për ndalimin e menjëhershëm të kësaj veprimtarie e cila në rastin më të mirë tregon frikë të PS në zgjedhjet e 23 qershorit dhe në atë më të keq një bashkëpunim të hapur me PD për corientimin politik të votuesve shqiptarë. AK bën thirrje që klasa politike shqiptare të orientohet në respektimin e të dhënave personale të qytetarëve shqiptarë dhe garantimin e tyre në cdo moment. Cdo tentativë e përdorur në fushatë, e cila ka për qëllim cënimin e kësaj privatësie bie ndesh me ligjet në fuqi dhe është e dënueshme”, thuhet më tej në deklaratë.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›