E Diel, 1 Nëntor 2026

Nëna e tre jetimëve: Kam fëmijët pa bukë, jeta ime në bodrum mes lagështirës

Shtëpia e saj ndodhet sapo kalon shinat e trenit për të hyrë në Kamëz. Ndoshta “shtëpi” nuk është fjala e duhur, sepse në të vërtetë është bodrum në kuptimin e plotë të fjalës, por ajo jeton atje me tre fëmijët e saj jetimë. Era e lagështirës të mbyt sapo zbret shkallët e para, ndërsa muret janë të mbuluara komplet prej saj. Gjithçka është e futur në dhomën e vogël, duke filluar që nga krevatet, televizori, frigoriferi dhe çdo gjë tjetër mund t’i duhet një familjeje. 

Gjithsesi, ata kishin gjetur “rehatinë” në këtë qoshe, por fati i keq do të ndryshonte gjithçka. Bashkëshorti i saj 42-vjeçar do të pësonte një infarkt të papritur në zemër, i cili ishte fatal për të. E ndërsa ai u përcoll për në banesën e fundit, la mbrapa bashkëshorten, Yzen, me tre fëmijë të vegjël: vajzën 8 vjeç dhe dy djemtë, njërin 4 vjeç e tjetrin 6 muajsh. Ngjarja e rëndë do të ndryshonte rrjedhën e jetës së kësaj familjeje, duke lënë në udhëkryq nënën e papunë me tre fëmijët e saj. Në pamundësi për të gjetur një punë apo një person që të mund t’i mbajë fëmijët, me zërin e mekur e me lot në sy, 27-vjeçarja apelon për ndihmë, ndërsa kërkesa e saj primare është “buka”.
Yze, ku të punonte bashkëshorti?
Punonte ku të gjente, ku të gjente. Ai u nda nga jeta para dy javësh.
Pse?
Pësoi infarkt në zemër.
Ai ishte i vetmi që punonte, apo jo?
Po, ai punonte, unë mbaja fëmijët.
Po tani, a ke ndonjë të ardhur?
Jo, asnjë.
Ke kërkuar punë?
Punë s’kam kërkuar, sepse unë nuk kam asnjeri këtu. Po s’pate njerëz, s’të ndihmon kush. Pastaj, ku t’i lë këta fëmijë. Të voglin e kam vetëm 6 muajsh. Vajza do shkollë. Ka mbetur pa shkollë, sepse unë jam e regjistruar në Lushnjë dhe nuk ma regjistrojnë në shkollë këtu në Tiranë. Duhet të sjell shpërnguljen. Këtë vit duhej të ishte në klasë të dytë. Nuk më ndihmon asnjeri.
Po si ia bën këto ditë?
Kam një komshije që më ndihmon: më sjell ndonjë qumësht, bukë. Më ka mbajt fëmijët me bukë. Ajo s’ka për vete, por më thotë “e bëj për fëmijët, se më vjen keq”.
Po këtu, jeton me qira?
Po, jam me qira. Paguaj me gjithë dritat 60 mijë lekë. Këtë muaj nuk e kam paguar fare. Më ka lënë afat. Më tha “rri sa të rrish, plaçkat s’ke për t’i lëvizur, do t’i mbaj peng”. “Ti, - më tha, - ik ku të duash. Mua më jep lekët”.
Po si jeton këtu?
Ça me jetu. Nga mbyti era e keqe. Lagështirë, më janë mykur të gjitha, kalamajtë më kanë marrë ftohje, unë ftohje. Rrimë nga e keqja.
Këtu jetoje edhe para se të të vdiste bashkëshorti?
Këtu, rrinim nga e keqja. Po të paktën atëherë ai nxirrte ndonjë lek dhe paguanim qiranë. Tani jam pa bukë, pa gjë prej gjëje. Mirë unë, po fëmijët? Të voglin e kisha në gji, por më iku qumështi se unë jam pa ngrënë. Ç’të bëj?
A ke një apel për të bërë?
Kërkoj një ndihmë të vogël, të mos më ngelen kalamajtë pa bukë. Pak qumësht për fëmijët, se janë pa ngrënë. Ju lutem të gjithë atyre që kanë mundësi, të më ndihmojnë.
(e.m/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›